TIRANË- Policia e Shtetit ka publikuar pamje të tjera nga vrasja e komisarit Artan Cuku 11 ditë më parë në pallatin ku banonte në “Rrugën e Kosovarëve” dhe kërkon ndihmën e qytetarëve për identifikimin e autorit.

Është ora 18:53 minuta kur kamerat e pallatit kapin siluetën e killerit që ecën gjakftohtë me kokën ulur dhe iu afrohet shkallëve të hyrjes dhe më pas në një kënd tjetër kamera e identifikon më qartë. Ashtu siç e përshkroi një nga dëshmitarët, vrasësi është elegant, i veshur me një kostum sportiv blu, kapele të bardhë në kokë, duart në xhepa hyn në pallat dhe brenda disa sekondave mbaron çdo gjë.

Për identifikimin e autorëve Policia ka vendosur shpërblim 10 mln lekë të reja.
Policia e Shtetit në bashkëpunim me Prokurorinë e Krimeve të Rënda po vijon hetimet intensive për zbardhjen e ngjarjes së ndodhur në datën 8 Prill 2017 ku u vra me armë zjarri ish drejtuesi i lartë i Policisë në nivel lokal Artan Cuku.

Policia kërkon edhe një herë ndihmën e qytetarëve për të bërë të mundur identifikimin e autorit të dyshuar i cili më datë 08.04.2017, rreth orës 20:11, në rrugën e “Kosovarëve”, në hyrje të pallatit “Melros”, ka qëlluar me armë zjarri pistoletë, ish-drejtuesin Cuku.

Policia garanton anonimatin e plotë dhe për çdo informacion të vlefshëm telefononi në numrin e telefonit 0694110299.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb