Wales është zyrtarisht në Botërorin e Katarit. Kjo Kombëtare mundi minimalisht në finalen e Play Off Ukrainën, me shifrat 1-0, në Cardiff.Ishte Yaremchuk që pati shansin e artë përballë portierit Hennessy pas 10 minutash lojë, por tentativa tokazi u kuptua nga “gardiani”, që e neutralizoi menjëherë atë goditje.

 

 

Kombëtarja e Page do merrte epërsinë në minutën e 34-të, falë aftësive individuale të Gareth Bale. Ylli në largim i Real Madrid realizon një goditje perfekte dënimi në minutën e 34-të, i ndihmuar sadopak edhe nga devijimi i pafat i Yarmolenkos.

 

Në minutën e 40-të, të besuarit e Petrakov pretendojnë penallti pas rrëzimit në zonë të Yarmolenkos. Arbitri Mateu Lahoz shkon ta shikojë me VAR, por asgjë nuk ka.

Pjesa e dytë nisi në mënyrën më të mirë të mundshme për Wales, pasi kjo Përfaqësuese mund të dyfishonte shifrat, nëse Aaron Ramsey do tregohej i saktë para porte, pas një kundërsulmi që dukej vrasës.

Mrekullisht, në të 56-tën, një top përfundon në këmbët e Yaremchuk, fare pranë portierit Hennessy. Gjithsesi, 26 vjeçari në shpejtësi e sipër e nxorri sferën jashtë.

 

 

Minutat kalonin dhe ankthi sa vinte e shtohej në Cardiff, me Ukrainën që po zotëronte topin, por pa arritur ndonjë gjë konkrete.

Të gjithë provuan dhe radhën e kishte edhe Mykola Shaparenko. Ky i fundit gjen vetëm tribunat.

Në minutën e 76-të, portieri i Ukrainës, Bushchan mban në lojë ekipin e tij me një pritje spektakolare ndaj Gareth Bale, që dështon të shënojë golin e dytë dhe të sigurisë për  uellsianët.

I pamarkuar në zonën e rrezikshme është Artem Dovbyk, por 24 vjeçari i Dnipros nuk shfrytëzon më së miri këtë mundësi, një nga të fundit për Përfaqësuesen e verdhë.

Rezultati mbetet i pandryshuar deri në fund, me Ukrainën që pavarësisht përpjekeve për të shkuar në finalet e një Botërori, pavarësisht cilësisë së lojtarëve, duhet të kënaqet me prezencën në Play Off.

Në krahun tjetër, Wales me këtë biletë që preu sot, do paraqitet në Katar, për të qenë protagoniste pse jo.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb