Toni zërit të Zinedin Zidan tregon më së mirë për atë që e priste skuadrën në fushën e lojës, por në fund Juventusi arriti t’i bënte ballë vetëm një pjesë loje, pasi Real Madrid treiumfoi 4-1 duke bërë të vetin “Champions League” për herë të 12 në histori.

Spanjollja “Marca” ka zbuluar udhëzimet që trajneri francez u ka dhënë lojtarëve të Real Madrid pak minuta para se atë të zbrisnin në fushë, ku duket qartë se askush nuk priste të ishte e thjeshtë.

“Vetëm disa gjëra të vogla. Është një finale dhe e dimë që është e vështirë, por e tillë është edhe për kundërshtarin. E rëndësishme për ne është që në fazën mbrojtëse të jemi më shumë agresivë. Jo agresivë në kuptimin e mirëfilltë të fjalës, por të gjejmë kohën e duhur. Nënkuptoj më të ngjeshur, më kompaktë dhe më agresivë. Ata luajnë 4-4-2, me Mandzukiç dhe Dani Alves, shumë të avancuar.

Ajo që duhet të bëjmë, është t’i zmprapsim, ashtu siç na takon të bëjmë ne. Isco, kur topin ta ketë kundërshtari, shko luaj në të majtë, në linjë me mesfushën tonë dhe kështu do të kthehemi në 4-4-2 edhe ne. Kur të rikuperojmë topin, avanco mes linjave. Duhet të kemi parasysh që kur të kemi topin, të tregojmë durim. Të luajmë, por të tregohemi më të shpejtë dhe të zbresim nga krahët, me Carvajal dhe Marcelo, të gatshëm për të vrapuar në fundore.

Kur të kemi topin, duhet t’i detyrojmë që ata të mbrohen shumë mbrapa, duke mbajtur atje Carvajal e Marcelo. Për pjesën e mbetur, duhet të luajmë ashtu siç jemi përgatitur gjatë javës, me Modriç e Isco, që duhet të bëjnë me radhë sulmin dhe mbrojtjen. Goli vjen kështu: Luajmë me topin, hapemi në krahë, topi në mes dhe mbërrijmë në qendër, për ta dërguar në rrjetë.

E vetmja gjë që duhet të bëjmë pra, është t’i japim lojës më shumë ritëm dhe më shumë shtrirje. Jo shumë lojë në qendër, por dalje sa në një krah, edhe në tjetrin. Në mbrojtje fusim këmbën gjithmonë dhe vazhdojmë punën. Është një finale dhe patjetër që do të vuajmë, por me qetësi. Duhet të mendojmë që goli do të vijë. Dakord? Shkojmë!”

(e.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb