Real Madrid mbetet “mbreti” i Spanjës, “mbret” në Superkupë, sërish thyen në finale Atleticon duke fituar për herë të 11-të këtë trofe, për herë të parë në formatin e ri të zhvilluar në Arabinë Saudite. Lideri absolut i këtij ekipi konfirmohet Zinedine Zidane, një trajner që nuk njeh humbje në asnjë finale të zhvilluar, 9 finale, 9 fitore, një rekord i jashtëzakonshëm për teknikun francez. Reali zbriti në këtë finale thuajse pa të gjithë repartin ofensivë, të paktën pa lojtarët më të mirë, teksa mungon Benzema, Bale, Hazard dhe Asensio, mungesa e tyre pati një efekt të madh ku rastet më të mira erdhën nga këmbët e Modric dhe Kroos.

As Atletico nuk qëndroi pasiv, si gjithnjë zhvilluan lojën e tyre, presing lart, lojë e fortë dhe shpesh ngacmuan portën e Courtois me belgun që konfirmoi edhe në këtë finale formën e mirë që po kalon. Me rrjeta të paprekura u mbyll koha e rregullt ndërsa në shtesë Reali u detyrua të luante për disa minuta me dhjetë lojtarë pas daljes me karton të kuq të Valverde. As shtesa nuk solli ndryshim në rezultat duke dërguar finalen në roletën e penalltive, ashtu si 4 vite më parë në finalen e Champions League. Reali ishte perfekt në goditjen e penalltive duke realizuar katër në katër ndërsa Atletico humbi 3 penallti, i vetmi që u tregua i saktë ishte Trippier. Sergio Ramas realizoi penalltinë e fundit duke i dhuruar Realit triumfin në Superkupë, trofeu i parë sezonal.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb