Të konkurrosh Bayern në Bundesligë është thuajse e pamundur, rekordmenët gjerman lëshojnë një sinjal të qartë për të gjithë rivalët që kërkojnë ta zbresin nga froni. Ekipi i Nagelsmann shpërtheu që në start duke çmontuar Frankfurt në transfertë me rezultatin e thellë 6-1. Skema nuk ndryshojë as në këtë sfidë, 4-2-2-2, me Muller e Musiala pas dyshes Mane-Gnabry.

5 minuta lojë i mjaftuan Bayern për të kaluar në avantazh teksa Kimmich ekzekutoi në mënyrë perfekte një goditje dënimi. Në të 11-ën ishte radha e Pavard për të dyfishuar shifrat. Nuk mund të mungonte në këtë banket as Mane me senegalezin që konvertoi me gol asistin perfekt të Gnabry. Pavarësisht rezultatin 0-3 që në minutën e 29-të, Bayern nuk e uli ritmin për asnjë moment, Muller shërbeu dy asiste brenda pjesës së parë për Musiala dhe Gnabry që dërguan shifrat në 0-5.

I pa shqetësuar gjatë gjithë sfidës, Neuer u bë protagonist në minutën e 64-ët me një gafë që solli golin e parë për Frankfurt. Nagelsman ndërhyri në formacion duke bërë disa ndryshime ndërsa në minutën e 83-të ishte Musiala që sigloi shifrat përfundimtare në 1-6:

“Jam shumë i kënaqur nga pjesa e parë, zhvilluam një lojë të mirë. Në pjesën e dytë mund të bënim më mirë, mund të kishim shënuar më shumë, por në përgjithësi ishte një ndeshje optimale. Nëse luajmë në këtë mënyrë do jetë e vështirë për të tjerët”, u shpreh Nagelsmann pas ndeshjes.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb