BALLSH- Zjarri që dogji sot në mëngjes mbetjet toksike të naftës në repartin e “Koksit” në ambientet e Uzinës së Përpunimit të Naftës në Ballsh ka lënë pasoja edhe jashtë saj.

Përveç plagosjes së punëtorit Vladimir Ymeri 53 vjeç, i cili ka marrë plagë në duar siç duket edhe në foton e siguruar nga “BalkanWeb”, i gjithë qyteti është përfshirë nga paniku.

Në videon e siguruar nga “BalkanWeb”, jo vetëm ambientet rreth uzinës, por i gjithë qyteti është mbushur me tym, aq sa gati janë bërë të padallueshme ndërtesat. Po ashtu qytetarët ankohen për një erë të rëndë të përhapur nga djegia.

NGJARJA
Sot rreth orës 07:20, në Uzinën e Përpunimit të Thellë të Naftës në Ballsh, në repartin e “Koksit” ka rënë zjarr (digjen mbetjet toksike të naftës). Si pasojë e zjarrit është dëmtuar lehtë shtetasi L.Y, 53 vjeç, banues në fshatin Drenovë, Mallakastër (punëtor i këtij reparti), i cili po merr mjekim në spital. Në vendngjarje kanë shkuar forcat zjarrfikëse, të cilat po punojnë për shuarjen e plotë të zjarrit, i cili është vënë nën kontroll. Grupi hetimor po punon për zbardhjen e plotë të ngjarjes”- thuhet në njoftimin e policisë.

(m.a/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: