Rey Manaj e nisi nga stoli miqësoren e sotme që Barcelona luajti në Gjermani kundër rivalëve të Stuttgart. Sulmuesi shqiptar u aktivizua vetëm në minutën e 79-të nga trajneri Koeman, duke zënë vendin e Griezmann.

24-vjeçari vetëm pak minuta pas aktivizimit në fushë humbi një rast të hartë teksa pritja e portierit të Stuttgart i mohoi golin e radhës me Barcelonën.

Manaj ndaloi bukur një top në zonë, por gjuajtja e sulmuesit lushnjar u prit nga portieri, i cili e devijoi në goditje nga këndi. Ky ishte rasti i vetëm për Manajn, nisur dhe nga minutat e pakta që u aktivizua.

Barcelona mundi me lehtësi 3-0 Stuttgart në miqësore. Protagonistët e takimit kanë qenë Memphis Depay, autor i një goli të mrekullueshëm në minutën e 21-të, dhe Antoine Griezmann, autor i dy asisteve.

Francezi ka dhënë asistin për golin e dytë të shënuar nga 18-vjeçari Demir në të 36-n dhe për golin e tretë të realizuar nga talenti Puig në të 73-n.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb