Ditëlindjet dhe Përvjetoret janë ngjarje të shënuara për gjithsecilin prej nesh dhe festimi i tyre thuajse gjithmonë organizohet pranë familjes dhe njerzve të dashur.
Arvi Karameta mbushi sot 1 vjece, por ditëlindjen e parë ajo e festoi pa nënën e saj e cila që prej fillimit të këtij muaji ndodhet në karantinë.
Pranvera Karameta është infermiere pranë Shtëpisë së të Moshuarve të Kavajës dhe së bashku me 5 anëtarë të tjerë të stafit që prej fillimit të muajit maj është izoluar në këtë institucion me qëllim ofrimin e shërbimin 24 orë për 59 të moshuarit që janë pjesë e këtij institucioni që vazhdon të mbetet i izoluar për t’i mbrojtur ata nga infektimi me koronavirus.
Pavarësisht mungesës në shtëpi, Arvi i bëri nënës së saj një surprizë të bukur për t’i thënë se kjo ditëlindje nuk do të kishte kuptim pa bekimin e saj.

Për Pranverën kjo ishte surpriza më e bukur që asaj i është bërë ndonjëherë. “Ditëlindjen e parë të vajzës këtë vit e kishim menduar shumë ndryshe dhe jo kështu, por kjo surprizë më gezoi shumë. Uroj që kjo situatë të përfundojë sa më shpejt dhe ne të kthehemi pranë familjeve tona” tha ajo duke mos i mbajtur lotët e gëzimit.

Prej javës së shkuara Kavaja është përfshirë në hartën e zonave të gjelbërta ndërsa me qëllim zvogëlimin e mundësive për infektimin me covid19 të të moshuarve Institucioni i Shtëpisë së të Moshuarve vazhdon periudhën e karantinimit të nisur që më 12 mars.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb