Kur na ndajnë vetëm pak orë nga protesta e thirrur nga Partia Demokratike, policia dhe institucionet e tjera kanë ndërmarrë masat për mbarëvajtjen e situatës, për t’iu paraprirë çdo skenari të mundshëm. Tubimi në fjalë pritet të nisë në orën 19:00, ndërkohë që PD ka marrë 2 orë leje në polici për zhvillimin e protestës, që do të mbahet para Kryeministrisë.

E teksa vijojnë përgatitjet e organizimit për ardhjen e protestuesve nga njëra anë, në anën tjetër policia ka nisur zbatimin e planit të masave. Gazetari Osman Stafa ka siguruar për BalkanWeb një video ku shihet se në rrugë ka nisur ‘zbarkimi’ i autobotëve të blinduar të ujit, që përdoren kryesisht për shpërndarjen e turmave.

Ndërkohë është mësuar se në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, rrugën “Xhorxh Bush” dhe pjesërisht në bulevardin “Zhan Dark” do të kufizohet qarkullimi rrugor për automjetet prej orës 16:00.

Rrugët që do të bllokohen
Në kuadër të protestës që do të zhvillohet në orën 19:00, do të ketë bllokime të disa segmenteve rrugore, si dhe bllokime të pjesshme të disa segmenteve të tjera në varësi të lëvizjes së tubuesve.
Segmentet rrugore që do të jenë të bllokuara, janë:
– bulevardi “Dëshmorët e Kombit”;
– rruga “Gjergj Fishta”;
– bulevardi “Bajram Curri”
– bulevardi Zhan D’Ark
Policia apelon të gjithë qytetarët që të shmangin lëvizjen në këto akse rrugore.

‘Vishet’ fasada e Kryeministrisë

Por përveç masave të marra nga policia për mbarëvajtjen e rendit dhe nga PD për ecurinë e protestës, edhe Kryeministria është hedhur në veprim, duke blinduar dyert e godinës, ashtu siç edhe është bërë zakon në tubimet e mëparshme të opozitës.
Edhe pse ish-kryeministri Sali Berisha ka deklaruar se protesta do jetë paqësore, duket se nga ana e tij kryeministri Rama ka marrë masat në rast të një eskalimi të mundshëm të tubimit. Për këtë arsye gjatë paradites së djeshme u zhvendos edhe instalacionin “Kërpudha”, që u rindërtua pas dëmtimeve që mori dikur në një nga protestat opozitare.

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

Veç masave që po merren në “Bulevardin Dëshmorët e Kombit” dhe para godinës së qeverisë, ku janë vendosur fonitë dhe podiumi, duket se maxhoranca po i paraprinë një skenari të mundshëm dhune. Në disa foto që qarkullojnë në media shihet se gjatë ditës së sotme godina e Parlamentit është pajisur me prozhektorë të mëdhenj dhe megafonë të cilët janë montuar paradite nga punonjësit e Kuvendit.

Ndërkohë, vlen të theksohet se gjatë orarit të protestës, kryeministri Edi Rama ka shumë gjasa që të mos jetë në Tiranë, pasi ai më 2 korrik nga tuneli Skarficës paralajmëroi se do të marrë pjesë më 7 korrik në inagurimin e By Pass-it të Vlorës. Ditën e sotme, protestës pritet që t’i bashkohen demokratë dhe qytetarë edhe nga qarqet e tjera të Shqipërisë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: