TIRANE

Kryeministri Edi Rama u pyet nga gazetarët nëse duhet shkarkuar drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu, pasi publikoi videon e nënës së të riut, që u dhunua nga policia pak ditë më parë.

Rama tha se kryepolici Veliu ka gabuar, por çështja është e mbyllur pas ndjesës së tij publike. Kreu i qeverisë u shpreh se Veliu ka një figurë të vlerësuar për integritetin moral dhe profesionalizimin, dhe se i beson ndjesës së tij.

“Ka gabuar, por jam më i prirur t’i besoj ndjesës së tij publike dhe sqarimit që ai dha, se sa moralistëve të këtij vendi. Është fare e qartë se nuk ishte një përpjekje për të justifikuar dhunën, sepse punonjësi i policisë për të cilin flitet është pezulluar menjëherë dhe është çuar në ndjekje penale. Ishte një përpjekje e keqshpjeguar, për të thënë që dhe familja ka përgjegjësinë dhe rolin e vet në mirëedukimin e brezit të ri.

E thënë ashtu ishte gabim, por preferoj ndjesën publike të tij dhe shpjegimet e dhëna prej tij, dhe duke e njohur për shkak të punës dhe duke e vlerësuar për integritetin moral të pavënë në diskutim deri më sot nga askush dhe për profesionalizimin çështja për mua është e mbyllur. Unë zgjedh drejtorin, nuk zgujedh ata, më vjen keq”, tha Rama.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb