TIRANE- Ibsen Elezi, ish-kryetar i PD në Kukës, tërhoqi mjaft vëmendje me fjalimin e tij të mbajtur të Dielën që lamë pas në Kuvendin Kombëtar të kësaj force politike. Teksa kritikoi drejtuesit e PD, ai u ndal tek problemet konkrete që sipas tij dëmtojnë këtë forcë politike.

Teksa komenton reagimet e marra nga delegatët e Kuvendit, të cilët e duartrokitën, i ftuar në rubrikën “Opinion” në “News24”, Elezi thotë se ndryshe nga mesazhet e shumta që ka marrë nga qytetarët, nuk ka patur një reagim të kryedemokratit Basha.

“Nuk isha i përgatitur për fjalim në Kuvendin e PD. Në fjalën time u ndala në problemet bazë. Unë nuk mora dhe as pres reagim nga Basha. Problemi bazë në PD është procesi i votimit. Por unë do thoja se faji është më thellë, nuk është i një personi, por i një sistemi fals politik. Ndaj unë nuk ndalesha tek emrat, por tek problematika”, u shpreh Ibsen Elezi.

Ai thotë se nisur nga situata në të cilët ndodhet Partia Demokratike, e sheh të arsyeshme që t’i rikthehet angazhimit politik.

“PD po shkatërrohet, duhet të reagojmë. Unë theva akullin, reagimi do të pasohet”, tha ish-kryetari i PD në Kukës.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb