Ndizet përsëri rivaliteti mes Valentino Rosit dhe Mark Markez, në garat e MOTO GP. Shkak bëhet një tjetër parakalim i rrezikshëm i spanjollit ndaj italianit, duke nxjerrë jashtë piste këtë të fundit në garën e sotme që u zhvillua në Argjentinë.

Markez bëri një manovër të gabuar, duke mos i dhënë mundësinë Rosit të kthente motorin e tij dhe të rrezohej, duke humbur terren në garën e cila zhvillohej në një pistë të lagur.

Manovra ishte e ekzagjeruar dhe këtë e kuptoi shumë mirë edhe spanjolli, i cili provoi t’i kërkonte falje italianit në përfundim të garës, duke iu drejtuar bokseve të skuadrës Jamaha. Por në vend të Rosit, aty e priti miku i tij më i ngushtë, Uçio Saluçi, i cili nuk e lejoi Markez të hynte në garazh.

“Ti nuk futesh këtu, zhduku pas asaj që bëre”, ishin fjalët e mikut të Rosit, i cili nxori jashtë garazhit të Jamahas pilotin spanjoll duke mos i lejuar që të kërkonte falje para italianit.

Rosi e Markez janë përplasur shpesh në të kaluarën dhe italiani e ka kritikuar vazhdimisht atë për agresivitetin e tepruar që tregon në pistë, pasi po rrezikon jetën e pilotëve të tjerë. /vipsport

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: