TEPELENË- Pasagjerët e autobusit të linjës Athinë-Tiranë që u aksidentuan mëngjesin e sotëm rreth orës 05:00 në aksin Gjirokastër-Tepelenë, në zonën e njohur si “Uji i Ftohtë” tregojnë momentet e frikshme që përjetuan pasi autobusi ku udhëtonin u përplas me bordurën anësore dhe u përmbys.

Një nga pasagjerët thotë se kanë thyer xhamat për të dalë nga autobusi i përmbysur.

“Thyem xhamat pasi autobusi ra përmbys. Nuk mendoj që shkak ka qenë përgjumja e shoferit, por lagështia në rrugë, plus që shoferi e mori pak kthesën shpejt, se jam edhe vetë shofer”.

Ndërsa një tjetër pasagjer tregon se ishte në gjumë në momentin e aksidentit. “Autobusi ishte plot me të plagosur. Nuk mora vesh gjë sepse isha në gjumë. Të gjithë janë të plagosur pothuajse. Kur e kam parë veten jashtë, të them që se di si kam dalë. U ngatërruam atje brenda pastaj ramë, ç’të bënim… Kthehesha nga Athina në Sukth ku banoj”,- tha ai.

31 persona u plagosën nga aksidenti, ndërkohë që në spitalin e Gjirokastrës po qëndrojnë 15 pasagjerë sipas mjekut Roland Karalli.

“Rreth orës 5:00 u paraqitën pjesë-pjesë në spital rreth 31 të aksidentuar, nuk ishin të gjithë për tu shtruar në spital, i bëmë ekzaminimet përkatëse. Nga gjendja që paraqesin askujt si rrezikohet jeta. I kemi shtruar, disa do t’i mbajmë me orë, të tjerët disa ditë. 15 persona kanë nevojë për trajtim të menjëhershëm, të tjerët kanë plagë të lehta, thyerje apo shembje”,- tha ai.

Po sot policia ka arrestuar shoferin e autobusit Ilia Silo, 50 vjeç, banues në Greqi. Ai akuzohet për veprën penale “Shkelje e rregullave të qarkullimit rrugor”.
Aksidenti ndodhi në orët e para të mengjesit në aksin rrugor Gjirokastër-Tepelenë, në vendin e quajtur “Uji i Ftohtë”, në një kthesë, ku autobusi me targa TR 5631 U, ka dalë nga rruga dhe është përmbysur, ku si pasojë janë lënduar 28 pasagjerë.

(ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: