TIRANË

“Mos i shiko gunën, por shikoji punën”, thotë populli, por a vlen kjo fjalë e urtë për rastin e gjyqtares së Elbasanit Enkeleda Kapedani, pas videove të njëpasnjëshme të “Tik-Tok” të publikuara? Ish-deputeti Klevis Balliu thotë se nuk është etike, por janë çështje e saj. Ajo që thotë ai se e shqetëson janë vendimet e saj.

“Kam frikë se del më keq me vendimet që ka marrë. Këtë gjyqtare nuk ke nga ta kapësh në daç gunën, në daç punën. Për mendimin tim ajo është gjyqtare, duhet të ruajë një farë serioziteti.

Nuk bëj përgjithësim për fenomenet e ‘tik tok’-ut, por për vendimet. Ka liruar dikë nga burgu, të dënuar përjetë. Kjo e ‘tik tok’ është çështje e saj, nuk është etike, por është një hiç, përballë vendimit për të liruar nga burgu një njeri të dënuar me burg të përjetshëm”, thotë ai.

Për Balliun vendimet janë çështja për të bërë analizën e drejtësisë. Sipas tij, nëse do kishte drejtësi të vërtetë nuk do kishte masakër elektorale dhe opozita do të ishte në kushte të tjera.

“Këtu nuk është arrestuar asnjë, veç unë si politikan. Këta koncesione, vjedhje, rasti i Unazës një skandal dhe të bësh popullin për budalla dhe të arrestosh një recepsionist. S’ka fitore kjo drejtësi.

Kemi dosjen e Dibrës, ku janë ata, njëri në bashki, tjetri deputet, tjetri ministër. Banorët e Unazës kanë bërë nga 6 muaj burg se protestuan për shtëpinë e tyre. Gjykata Kushtetuese e ka quajtur të paligjshëm arrestimi ne tyre, por ata bënë 6 muaj burg. Ku është Saimir Tahiri? Reforma në drejtësi është esenciale për shpëtimin e Shqipërisë dhe shqiptarëve. Është nevojë për ne, përveçse është kërkesë nga BE. Me një drejtësi të vërtetë, opozita do ishte në kushte të tjera, kjo vjedhje, kjo masakër elektorale nuk do kishte ndodhur.

Unë nuk e kam problemin se ka dalë zonja në ‘tik tok’, unë e kam problemin tek vendimet që jep. Sot 85% të çështjeve fitohen nga qeveria kundër qytetarëve”, deklaroi Balliu.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb