Garda Civile Spanjolle ka goditur një bandë të organizuar që vepronte në Alicante, Murcia, Tarragona dhe Madrid, e cila grabiste bankomatet me ndihmën e kamionëve të vjedhur më parë.
Në operacion janë arrestuar shtatë persona, pjesa më e madhe me origjinë shqiptare.
Numri i të përfshirëve mund të jetë më i madh, pasi janë dy anëtarë të bandës që nuk ishin gjetur në momentin e arrestimeve dhe kontrolleve, ndaj është urdhëruar kërkimi dhe kapja e tyre. Të arrestuarve u janë sekuestruar mjete të shumta dhe materiale të tjera të lidhura me grabitjet, si dhe 42,720 euro para cash, të marra nga sulmi i tyre i fundit në Barcelonë.
Garda Civile e konsideron bandën e shpërbërë përgjegjëse për të paktën tetë grabitje të bankomateve në shtatë muajt e fundit. Grabitjet e zbardhura janë kryer në Alicante, Valencia, Murcia, Almería, Tarragona dhe Barcelona.