Dy persona kanë rënë në pranga në Tiranë, pasi akuzohen për një seri vjedhjesh në zona të ndryshme të kryeqytetit.
Burime zyrtare nga policia bënë me dije se pas hekurave ranë të rinjtë me inicialet D. Sh., 18 vjeç dhe S. H., 19 vjeç, si dhe u shpall në kërkim një shtetas 17 vjeç, të tre banues në Tiranë. Ata akuzohen se kanë vjedhur monopatina në zona të ndryshme të Tiranës.
NJOFTIMI I POLICISE
Finalizohet nga Komisariati i Policisë Nr. 2 dhe Komisariati i Policisë Nr. 6, operacioni policor i koduar “Monopatina 2”, për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e vjedhjes së pasurisë.
Vidhnin monopatina në zona të ndryshme të Tiranës, vihen në pranga 2 shtetas, shpallet në kërkim bashkëpunëtori i tyre. Procedohet në gjendje të lirë një 19-vjeçar, i cili shoqëronte njërin prej autorëve të dyshuar të vjedhjeve, gjatë ndërhyrjes nga shërbimet e Policisë. Gjatë kontrollit fizik, iu gjet një sasi lënde e dyshuar narkotike kanabis. Sekuestrohen një biçikletë elektrike dhe 4 monopatina, të dyshuara të vjedhura, dhe sasia e lëndës narkotike kanabis.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 2 dhe ato të Komisariatit të Policisë Nr. 6, në vijim të punës për parandalimin e vjedhjeve, zbardhjen e atyre të ndodhura më parë dhe vënien e autorëve përpara përgjegjësisë ligjore, pas një pune të mirëfilltë hetimore, bazuar në informacionet e siguruara në rrugë policore se disa shtetas vidhnin biçikleta dhe monopatina në zona të ndryshme të Tiranës, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Monopatina 2”.
Si rezultat i këtij operacioni u arrestuan shtetasit D. Sh., 18 vjeç dhe S. H., 19 vjeç, si dhe u shpall në kërkim një shtetas 17 vjeç, të tre banues në Tiranë. Gjithashtu, u procedua penalisht shtetasi K. L., 19 vjeç, banues në Tiranë. 2 shtetasit e arrestuar, në bashkëpunim me 17-vjeçarin e shpallur në kërkim, dyshohet se më datë 01.10.2023, kanë vjedhur një monopatinë në Rrugën e Kavajës. Nga verifikimet e kryera ka rezultuar se shtetasi S. H. siguronte sendet e vjedhura nga shtetasi D. Sh. dhe nga 17-vjeçari, të cilat më pas i shiste kundrejt përfitimeve të ndryshme monetare.
Gjatë ndërhyrjes nga shërbimet e Policisë, shtetasit K. L., i cili shoqëronte shtetasin D. Sh., iu gjet një sasi lënde e dyshuar narkotike kanabis. Në vijim të veprimeve, gjatë kontrollit të banesës së shtetasit S. H., shërbimet e Policisë gjetën një biçikletë elektrike dhe 4 monopatina, të dyshuara të vjedhura, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, së bashku me lëndën narkotike.
Vijon puna për dokumentimin e vjedhjeve të tjera, që mund të jenë kryer nga këta shtetas. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme.
(BalkanWeb)