Policia e Vlorës ka finalizuar operacionin e koduar “Mirror”, ndërsa në pranga ranë 2 persona. Burime zyrtare bënë me dije se shtetasit me inicialet D.S., dhe R.H., 24 dhe 38 vjeç, dyshohen se ditën e djeshme në lagjen “Pavarësia” Vlorë kanë vjedhur pasqyrat e një automjeti “Mercedes Benz”, në pronësi të shtetasit me inicialet A.L, duke i shkaktuar dëmin prej 15.000 lekë të rinj.

Nga hetimet e kryera, këta shtetas në bashkëpunim me njëri-tjetrin, po dje, në lagjen “Isa Boletini”, dyshohet se gjatë orëve të para të mëngjesit të kenë vjedhur pasqyrat e automjeteve ‘Mercedes’ në pronësi të shtetasve D.H., Dh.A., A.L dhe O.H.

Gjithashtu, më datë 08.02.2020, në lagjen “Pavarësia 3” dyshohet të kenë vjedhur pasqyrat e mercedesit në pronësi të shtetasit Y.G (dëmi 12.000 lekë). Dëmi i shkaktuar i 5 automjeteve në total arrin vlerën prej 127.000 lekë të rinj. Materialet iu referuan Prokurorisë së Vlorës për veprime të mëtejshme.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: