Shkrimtari i njohur, Kim Mehmeti, dha një mesazh të fortë në Kuvendin e Shqipërisë, në aktivitetin për Çamërinë, teksa ju drejtua të gjithë politikanëve, por edhe kryeministrit Edi Rama.

Ndonëse nuk përmendi emra, shkrimtari Mehmeti “goditi” kryeministrin Rama për nismën e “Ballkanit të Hapur”, teksa tha se është e turpshme dhe e pamundur që të pranosh të ulesh me Presidentin e Serbisë dhe të mos i thuash se nuk ndërtoj të ardhme me ty.

“Është e turpshme të jesh burrë shtetas shqiptar e të mos guxosh të pranosh gjenocidin, të ulesh me presidentin serb e të mos i thuash se nuk ndërtoj të ardhme me ty, kur e di që ai ka dalë nga kapota e Millosheviçit”, tha Mehmeti mes të tjerash.

Fjala e Kim Mehmetit në Kuvend:
Nuk jam i foltoreve, por jam i fjalës. Ua them sinqerisht që së pari herë kam emocione, jo se flas nga foltorja, por se flas para jush. Këtë ditë përkujtimore të gjenocidit çam e shoh pak përtej Çamërisë dhe çamëve. Mbase kjo ditë shënon çastin kur ky Kuvend e ka kuptuar se nuk do të ekzistonte po të mos ishte ëndërr e mbarë shqiptarëve, edhe atyre të Çamërisë, edhe Kosovës, edhe Maqedonisë, që të bëhet kjo pak Shqipëri, që të na bëjë të bëjë të mburremi se jemi shqiptarë. Në të kundërt kjo nuk mund të jetë foltorja e shqiptarëve. Le të jem shumë i sinqertë, shpeshherë jam ndjerë keq, kur e kam parë që kjo foltore shpërndan më shumë grindje, më shumë përçarje, kur shqiptari ia thotë shqiptarit edhe atë që nuk na e ka thënë as një armik.

Gjërat që ja ka thënë shqiptari-shqiptari janë më të rënda dhe shkojnë përtej atyre që na kanë thënë armiqtë. Jam ndjerë keq që nuk shpërndahet deti, që është pafund, por shpërndahet marrëzia, dhe nuk e ka kuptuar kurrë përse. Ne përballemi me gjëra absurde. Të gjitha foltoret, që ka shqiptaria, mund të kuvendojnë për rrugët e të ardhmes, se nga të shkojmë, djathtas, majtas, në mes, drejt Brukselit, drejt Ankarasë, mirëpo ne nuk mund të vëmë në diskutim tragjeditë, apo të heshtim, vetëm nga droja se do mërziten fqinjët tanë, apo ose do i humbim ata, sepse në atë moment që ne do i frigohemi të vërtetave tona, aty ne tregojmë jo vetëm çfarë shqiptarësh jemi, por edhe çfarë njerëzish jemi. Të heshtësh gjenocidin çam, atë të Kosovës, madje dhe atë në Srebrenicë, nuk tregon çfarë shqiptari je, por edhe çfarë njeriu je. Mjafton t’i përkasësh komunitetit njerëzor, për të kuptuar dhimbjen.

I lejohet ndonjë të dehuri të thotë se nuk ka ndodhur asgjë në Kosovë, po si mund të lodhesh duke i numëruar varret e shqiptarëve? Duhet t’i numërojmë deri në fund, sepse tjerët vijnë e i mbledhin eshtrat e ushtarëve të vet, por nga ne i fshehin varret e viktimave tona. Ende Serbia nuk i tregon varret, jo se nuk i di, por bën tregti me viktimat shqiptare, sepse kushtëzon. Është e turpshme të jesh burrë shtetas shqiptar e të mos guxosh të pranosh gjenocidin, të ulesh me presidentin serb e të mos i thuash se nuk ndërtoj të ardhme me ty, kur e di që ai ka dalë nga kapota e Millosheviçit. Ne ende flasim për atë se kush bën gjëra të turpshme e kush jo për shqiptarinë, që është turpi i shqiptarisë.

Jetojmë në kohë të turbullta. Mund të pajtohemi me atë se shumë shqiptarë mund të jetojnë në ballkonet e Ballkanit, por ne duhet të kujdesemi të gjithë për kopshtin tonë të përbashkët, për atë që është shqiptaria. Ky tempull duhet të mbajë përgjegjësi, derisa quhet Shqipëri. Ne mund të përballemi me fatin tonë të keq, që Çamëria nuk mund t’i bashkohet Shqipërisë, por ne nuk mund të pajtohemi me atë që shqiptari nuk mund të kthehet në vendlindje, të kthehet në Çamëri.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb