Shpërthimi i C.Panuccit në konferencën e fundit për shtyp ishte mishërimi i gjithë presionit që po përjeton trajneri i Kombëtares. Humbja e fundit kundër Skocisë vetëm sa shtoi edhe më shumë dozat e mosbesimit ndaj italianit, nëse është apo jo trajneri i duhur për të udhëhequr Shqipërinë. Pavarësisht se foli për klane kundër tij, apo u përpoq të shpjegojë arsyet e mos grumbullit të disa lojtarëve, asgjë nga këto argumente nuk ul skepticizmin kundër tij.

Jordania është testi i fundit ku Panucci ka luksin të eksperimentojë, ose të shfrytëzojë këtë miqësorë për të përgatitur si duhet takimin kundër Izraelit, shansi i fundit i Panuccit për të bindur se mund të çojë përpara këtë grup dhe rrjedhimisht të synojë kalimin e grupit në Ligën e Kombeve. Në seancën e fundit stërvitore, Panucci u ndal për rreth 40 minuta duke folur me lojtarët, shpesh me tona të larta dhe imponues e shpesh duke kërkuar një mendim nga tyre.

Stërvitja nisi me pas me disa ushtrime të lehta ku në çdo moment italiani kërkonte impenjimin e futbollistëve. Panucci nuk kërkon lojtarë pasiv e as topa pa adresë, gjithçka për të duhet të ketë një logjikë. Më pas u ndal duke punuar specifikisht me të tre repartet ku nga mbrojtësit, mbi të gjitha ato të krahut, kërkoi që të ishin më të shpejtë, ndërsa nga Basha dhe Memushaj kërkoi më shumë vertikalizime. Panucci u ndal gjatë duke diskutuar me dy mesfushorët duke lënë të kuptosh që do të jenë ata të cilët ai ka ndërmend të besojë organizmin e lojës.

Jashtë vëmendjes nuk kanë qëndruar as sulmuesit nga të cilët Panucci ka kërkuar që të shoqërojnë çdo aksion deri në fund. Lajmi i mirë është se trajneri i Kombëtares do të këtë grupin e plotë për këto dy takime pasi asnjë lojtarë nuk ka shfaqur asnjë problem fizik.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb