*Nikolla: Raundi i dytë, nivel i ri transparence për maturantët

TIRANE– Ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla shprehet besimplotë për skemën aktuale të përzgjedhjes së maturantëve për në institucionet e arsimit të lartë në vend. Duke u shprehur se për këtë vit në raundin e parë janë përzgjedhur më të mirët, ministrja shton se procesi garanton transparencë. Në emisionin “Njerëz në fokus” me gazetaren Ola Bruko, ministrja Nikolla tha se raundi i dytë solli një nivel të ri transparence.

Në raundin e parë u renditën fitues më të mirët, duke i dhënë kështu mundësi të gjithë aplikuesve në raundin e dytë që të bënin ndryshimet e nevojshme. Synohej që zgjedhja e preferencave në raundin e dytë t’i bënte fitues.

“Minimalisht janë në 4430 vende të lira për aplikantë të tjerë në Universitetin e Tiranës. Ne e kemi quajtur ulja e vijës së kuqe, por nuk duhet t’i japim këtë konotacion. Ideja është që ky rankim do të ulet, që në çdo nivel do të ulet vija. Kur të fillojnë regjistrimet nga data 13 deri në 16, do të krijohen dhe kuota të tjera të lira. Kjo nuk është një skemë që është filluar të vihet në funksion pa bërë matjet dhe analizat e nevojshme”, tha ministrja Nikolla.

Duke përjashtuar mundësitë e kufizimit të alternativave, ministrja tha se kjo do të përkthehej në kufizim për maturantët.

Ministrja Nikolla tha se të gjithë maturantët që kanë paqartësi mund t’i drejtohen portalit online.

Një maturante nga Korça ngre shqetësimin e saj. Në raundin e parë doli sikur kishte hedhur 11 degë. Mund të ndodhin të tilla gabime?

“Nuk bën gabime sistemi. Janë universitetet ato që kanë bërë renditjen. Është lënë kohë mjaftueshëm që çdo student të ankimojë nëse ka një problem”, ishte përgjigjja e ministres Nikolla.

Sakaq ministrja i është përgjigjur pyetjeve të maturantëve të cilët nuk kanë rezultuar fitues në fakultet.

“Nuk mund ta pranoj as fjalën lojë. Se nuk është lojë aspak, është një proces i rëndësishëm. Janë zbatuar ligjet e këtij vendi. Futja e lëndëve me zgjedhje nuk është ndryshim i rregullave të lojës. Ka ndryshuar vetëm mundësia, dhe sistemi, duke u qasur me sistemet më të mira europiane”, tha ministrja Nikolla.

E pyetur nga gazetari Mariglen Mërtiri lidhur me librat që u shiten nxënësve me detyrim ndonëse ato nuk janë pjesë e katalogut, ministrja Nikolla ka kërkuar denoncimin me emra të atyre zyrtarëve që urdhërojnë vendime të tilla.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb