Aksi rrugor qe prek fshatrat Rabiak, Lodhishten, Karkanjoz dhe Tomor është një aks totalisht i amortizuar. Me gropa të mbushura me ujë dhe e pashtruar kurrë është sot gjendja e kësaj rruge që të vetmen mbulesë që ka pasur ndonjëherë janë çakulli dhe gurët.

Tre fshatrat Rabiak, Lodhishten e Karkanjoz i përkasin njësisë Administrative Rroshnik në Berat, ndërsa fshati Tomor është një ndër 12 fshatrat e njësisë administrative Vërtop në bashkinë e Poliçanit. Gjatësia e kësaj rruge që lidh aksin nacional Berat-Skrapar me katër fshatrat e sipërpërmendur është rreth 17 km.

Në të katër fshatrat jetojnë rreth dy mijë banorë, të cilët e vuajnë çdo ditë mungesën e rrugës, e cila i ka penalizuar edhe në nxjerrjen në treg të produkteve të tyre bujqësore. Banorët e këtyre fshatrave shprehen se rruga është në kushte shumë të këqija, pa kanale kulluese dhe e pakalueshme për automjetet e vogla. Ata shprehen se pak kohë më parë bashkia hodhi një dorë çakull në këto rrugë dhe më pas nuk u kujtua më.

“Kjo rrugë po bën 40 vjet që është ndërtuar që në sistemin komunist dhe për 40 vite me radhë nuk është vënë dorë nga të dyja bashkitë për ta mirëmbajtur apo rikonstruktuar atë. Në zonën tonë të gjithë vijnë vetëm për votat por nuk duam t’i shohim më me sy”-, shprehen banorët.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb