Forcat e policisë vijojnë operacionet antikanabis për evidentimin dhe asgjësimin e bimëve narkotike të mbjella. Në të gjithë vendin janë asgjësuar në orët e fundit rreth 4228 bimë kanabisi. Në vijim të operacionit të koduar “Ballolli 2015” policia e Beratit ka zbuluar dhe asgjësuar rreth 300 rrënjë bimë narkotike. Burime zyrtare nga policia bëjnë të ditur se ka nisur procedimi penal për shtetasit Vladimir Selenica, 47 vjeç dhe Taro Ahmeti, 25 vjeç, të cilët akuzohen për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.

“Procedimi penal ndaj këtyre shtetasve filloi pasi në vijim të kontrolleve të ushtruara nga policia e Beratit në fshatin Çorogjaf janë gjetur 3 parcela të kultivuara me bimë narkotike të dyshuara si  Canabis Sativa. Në këto 3 parcela janë gjetur të kultivuara rreth 300 rrënjë bimë narkotike të cilat janë asgjësuar me anë të djegies.”- thuhet në njoftimin e policisë.

Materialet i kalojnë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Berat për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike” në bashkëpunim , parashikuar nga neni 284/2 i Kodit Penal.

OPERACIONI NE SHKODER
Ndërkohë në Shkodër, policia ka asgjësuar 3394 rrënjë bimë narkotike. Në një deklaratë për mediat, policia e Shkodrës njofton se gjatë ditës së djeshme janë goditur tre raste të kultivimit të bimëve narkotike. Konkretisht në fshatin Barcollë, në Shkodër, janë gjetur dhe asgjësuar 16 parcela me 1881 rrënjë bimë narkotike Canabis Sattiva. Në vendin e quajtur “Menaj”, në fshatin Mnelë e Vogël, në Shkodër, janë gjetur dhe asgjësuar 5 parcela me 713 rrënjë bimë narkotike Canabis Sattiva. Ndërsa në fshatin Gomsiqe e Poshtme, në Pukë, janë gjetur dhe asgjësuar 3 parcela me 800 rrënjë bimë narkotike. Në të tre rastet bimët u asgjësuan me anë të djegies ku një pjesë e tyre u morën në cilësinë e provës materiale. Ndërkohë po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve. Materialet i kaluan Prokurorisë së rrethit gjyqësor Shkodër, për veprën penale “Kultivim i bimëve narkotike”, parashikuar nga Neni 284 i Kodit Penal.

PËRMET, ASGJËSOHET 534 BIME KANABIS
Gjatë ditës së djeshme, efektivat e Komisariatit të Policisë Përmet  në vijim të kontrollit të territorit për evidentimin dhe asgjësimin e bimëve narkotike të kultivuara si dhe mbi bazën e informacioneve të  marra në rrugë operative kanë bërë asgjësimin e 534 rrënjëve bimë.

Në  vendin e quajtur “Arat e Abazit”, në fshatin “Zhepovë”, u gjetën të kultivuara 324 rrënjë bimë Cannabis Sattiva. Po gjatë operacionit në vendin e quajtur “Rrahu i Hasanit”, në  fshatin “Vërçishtë”, u zbuluan 90 rrënjë bimë narkotike. Po kështu edhe në territorin e fshatit “Miçan”, në vendin e quajtur “Përroi i Sinjës” janë asgjësuar 120 bimë kanabis. Ndërkaq policia vijon punën për identifikimin dhe kapjen e autorëve.
(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: