Të paktën katër palestinezë u vranë dhe 23 të tjerë u plagosën, pas një operacioni të Forcave të Mbrojtjes Izraelite në Jenin, në Bregun Perëndimor.

Lajmi është bërë i ditur nga Ministria e Shëndetësisë palestineze, e cila tha se 5 nga të plagosurit janë në gjendje kritike për jetën.

Forcat izraelite deklaruan se “neutralizuan dy operativë të organizatës terroriste të Xhihadit Islamik Palestinez, të cilët dyshohen për aktivitete të rëndësishme terroriste”.

“Gjatë operacionit forcat kanë qëlluar në drejtim të personave të armatosur, janë konstatuar lëndime. Gjithashtu, u zhvilluan trazira të dhunshme gjatë të cilave të dyshuarit hodhën gurë në drejtim të forcave”, thuhet më tej

Hamasi njoftoi në një deklaratë se dy nga palestinezët e vrarë në Jenin ishin anëtarë të saj.

“Vrasja frikacake e dy liderëve të rezistencës nuk do të mbetet pa u ndëshkuar. Okupimi na ka gjykuar më parë, e di me siguri se përgjigja jonë po vjen dhe se marshimi i rezistencës vazhdon deri në çlirim”, thuhet në deklaratën e Hamasit.

Dhuna shënon raundin e fundit në atë që është bërë një cikël brutal dhune midis izraelitëve dhe palestinezëve. Gjithsej 88 palestinezë janë vrarë që nga fillimi i këtij viti, tha Ministria palestineze e Shëndetësisë, një numër që përfshin militantë dhe civilë. Që nga fillimi i vitit, 13 civilë izraelitë dhe një oficer sigurie janë vrarë në ato që zyrtarët izraelitë thonë se ishin sulme palestineze.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb