TIRANE – Edhe gjatë ditës së sotme ka vijuar puna e përbashkët e Policisë së Shtetit dhe OSHEE-së, në të gjithë vendin, për evidentimin dhe vënien para drejtësisë të autorëve të vjedhjes së energjisë elektrike, si dhe për ndërprerjen e lidhjeve të paligjshme të energjisë.
Në të gjithë vendin gjatë ditës së sotme kanë vepruar 76 grupe të përbashkëta Polici–OSHEE të cilat kanë kryer kontrolle në 1.567 raste. Si rezultat i kontrolleve të kryera në terren në abonentët biznes dhe familjarë, janë evidentuar 20 raste të vjedhjes së energjisë elektrike me 20 autorë. Nga këta janë arrestuar në flagrancë 10 persona të cilët akuzohen për vjedhje të energjisë elektrike. Ndërkohë janë shpallur në kërkim 6 persona, si dhe po ndiqen në gjendje të lirë 4 autorë. Gjithashtu janë ndërprerë 1.105 lidhje të abonentëve debitorë dhe 20 lidhje të paligjshme.
“Policia e Shtetit dhe OSHEE janë të vendosur ta çojnë deri në fund punën e nisur, deri në shkëputjen e fundit të lidhjeve të paligjshme, duke përballur me forcën e ligjit të gjithë ata persona, të cilët abuzojnë me energjinë elektrike, duke e vjedhur atë, qofshin këta përfaqësues biznesesh, individë, apo punonjës të vetë OSHEE-së.”- thuhet në njoftimin e policisë.
(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: