TIRANË

Mbledhja e Këshillit Politik vijon prej 4 orësh, pas propozimit të opozitës jashtëparlamentare për hapjen e listave 100 %, pa ndryshime të tjera në formulën e koalicioneve dhe shpërndarjes së mandateve. Burime të opozitës nga mbledhja bëjnë me dije për “BalkanWeb” se PS refuzon të shqyrtojë propozimin, duke i qëndruar versionit të vet të njëanshëm dhe duke mos dhënë konsensus për propozimin e kompromisit të ofruar edhe sot nga opozita.

Siç theksojnë të njëjtat burime, gjatë debatit përfaqësuesi i PD, Oerd Bylykbashi, ka nënvizuar se po injorohet vlerësimi i ODIRH, duke kujtuar që “ODIHR ka këmbëngulur tek mosabuzimi me burimet shteterore dhe se burimi kryesor shtetëror është fuqia rregullatore, dhe ju po abuzoni me të pa nisur zgjedhjet”. Burimet brenda mbledhjes konfirmojnë se Oerd Bylykbashi i është drejtuar me këto fjalë “Ju po përdorini ndryshimin e njëanshëm të ligjit, për të krijuar favore të PS në zgjedhje. Në 2013 erdhët në pushtet me krimin, në 2016 kanabizuat vendit dhe me paratë e pista të krimit bletë zgjedhjet e 2017, tani nuk ju mjaftojnë këto dhe po përpiqeni të diktoni ndryshimet e njëanshme të rregullave. Jeni të pashpresë, jeni humbës.”.

Ndërkohë, burimet opozitare thonë se përfaqësuesi i mazhorancës, Damian Gjiknuri, nuk i është përgjigjur akuzave, duke vijuar të theksojë se nuk mund të pranojnë propozimin e opozitës për hapjen e listave 100 %, pa ndryshime të tjera.

Mbledhja është ndërprerë për disa minuta me kërkesë të Damian Gjiknurit dhe sapo ka rifilluar. Të pranishëm në tryezë janë përfaqësuesi i mazhorancës, Damian Gjiknuri, dhe përfaqësuesit e opozitës jashtëparlamentare, Oerd Bylykbashi e Petrit Vasili, ndërsa Rudina Hajdari e opozitës parlamentare u largua pak pasi kishte filluar mbledhja, pa dhënë sqarime, por duke thënë shkurtër se nuk mund të qëndronte në atë mbledhje.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb