Prej dy ditësh banorët e fshatit Gjoricë në Bashkinë e Bulqizës vijojnë të paraqiten në institucionet shëndetësore për shkak të problemeve me shëndetin. Lajmi konfirmohet për BalkanWeb nga gazetari Enver Doçi.

Dyshohet se dhjetëra qytetar kanë kërkuar ndihmë mjekësore për shkak të problemeve që kanë shfaqur si me të vjella dhe dhimbje barku.

Dyshohet se kjo ka ardhur nga konsumimi i ujit të pijshëm në ujësjellësin e kësaj zone i ndërtuar vetëm pak muaj më parë.

Banorët thonë se prej të paktën 48 orësh po shkojnë të kërkojnë ndihmë në qendrën Shëndetësore Gjoricë, atë Shupenzë dhe në spitalin e Bulqizës. Sipas tyre, pas këtyre problemeve institucionet ju kanë kërkuar që të mos konsumojnë ujë nga rrjeti i ujësjellësit, ndaj janë detyruar që ta blejnë.

Ndërkohë, personeli shëndetësor i Qendrës së Gjoricës është rikthyer në punë këtë të diel edhe pse është ditë pushimi. Shkak për këtë mësohet se është fluksi i banorëve që kërkojnë të marrin trajtim, kryesisht me serum. Lavdiu Ruçi, infermiere pranë kësaj qendre tha se po i jepet ndihma e nevojshme çdo banori që paraqitet.

Ndërkohë, pasditen e së shtunës, policia e Bulqizës ka nisur hetimet për rastin, ndërsa Njësia Vendore e Kujdesit Shëndetësor po bën analizat e thelluara të ujit të pijshëm.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: