*Dita e dyte e greves se urise, studentet: Nuk dalim pa na u plotesuar kerkesat-
*Salianji viziton grevistët: Ministrja i diskriminoi studentët-
TIRANË- Studentët e mjekësisë që kanë kaluar nga Universitetet private, kanë vijuar sërish sot grevën kundër tarifave të shkollimit në universitetet publike. Gjatë orëve të mbrëmjes një prej studenteve është ndjerë keq dhe është transportuar me një makinë në spital.

Studentët pohuan se megjithëse e kishin thirrur ambulancën, ajo kishte ardhur 50 minuta më vonë.

“U ndje keq, e transportuan në spital me një makinë. Lajmëruam ambulancën por erdhi pas 50 minutash, na thanë s’kemi kohë për ju. Nuk e dimë çfarë kishte, na thanë që ka luhatje tensioni”, tregojnë studentët e tjerë që vijojnë të qëndrojnë në ambientet e fakultetit të Infermierisë në grevë.

PRETENDIMI I STUDENTËVE PËR AMBULANCËN, REAGON ASHR

Autoriteti Shëndetësor Rajonal Tiranë ka reaguar pas akuzave të studentëve grevistë se ambulanca ka shkuar 50 minuta pasi është lajmëruar se një studente u ndje keq. ASHR ka sqaruar se ambulanca u dërgua nga Urgjenca e Tiranës dhe studentes iu dha ndihma edhe pse greva po bëhet brenda mjediseve të Qendrës Spitalore.

Prej dy ditësh, dhjetëra studentë të mjekësisë që kanë kaluar nga universitetet private që u mbyllën, tek universitetet publike protestojnë kundër tarifave të caktuara, më të larta se kolegët e tyre.

Një ditë më parë, ata kërkuan të fusnin në ambientet e brendshme, shtretër dhe dyshekë por nuk janë lejuar nga policia. Madje studentët grevistë, u vizituan edhe nga Ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla, e cila tha se vendimi për tarifat e shkollimit të tyre nuk mund të tërhiqet.

Janë rreth 40 studentë që janë ngujuar në ambientet e Fakultetit të Shkencave Mjekësore Teknike, ndërsa arsyeja kryesore e grevës së tyre është tarifa e lartë e shkollimit që ata janë të detyruar të paguajnë, e cila është gati 7-fish më e lartë.

Pamjet e siguruara nga gazetari Mariglen Mertiri

Sot në ditën e dytë të grevës disa prej tyre kanë shfaqur probleme me shëndetin dhe luhatje tensioni ndërkohë që kërkojnë edhe mbështetjen e studentëve të tjerë.

Në një prononcim për News 24, studentët shprehen se nuk kanë bazën minimale materiale brenda ambjenteve ku po zhvillojnë grevën. Po sipas tyre, në kohën që shfaqin edhe probleme me shëndetin, ëprballen me mungesën e një ambulance.

“Jemi këtu që prej ditës së djeshme, situata është brenda, është shumë e rënduar nuk kemi as kushtet minimale. Do i rezistojmë grevës, jemi të vendosur deri në fund. Kemi mungesë shtretërish, batanijesh. Është absurde ta mendosh që në çdo vend lejohen elementët bazë, donim krevatet se nuk jemi kafshë. Presim Presidentin dhe institucionet e tjera, të na takojnë. Të reagojëe edhe zoti Rama. Nuk ramë në kompromis me ministrin nuk i plotësoi kërkesat tona”.

Këta studentë paguajnë 235 mijë lekë në vit, ndërsa studentët e tjerë që janë pranuar sipas Maturës Shtetërore, paguajnë vetëm 35 mijë lekë në vit. Pra diferenca e tarifës vjetore të shkollimit për studentët e transferuar nga privati është 200 mijë lekë (2 milionë lekë të vjetra më shumë). Ata pretendojnë së në universitete private kishin përfitur bursa dhe paguanin nga 500 euro, ndërkohë që tani në shtet përballen me tarifa më të larta.

STUDENTËT E PRIVATIT PËRPLASEN ME ATA TË PUBLIKUT
Ora 12:20- Vizitorët e radhës për studentët e privatit që pretestojnë për tarifat e vendosursa në public, ishin disa studentë të Universitetit Publik të Mjekësisë dhe Infermierisë, të cilët kanë fituar të drejtën e studimit në bazë të modelit meritë, preferencë. Ata kanë kundërshtuar grevën e studentëve të “privatit”, duke iu thënë se nuk mund të jenë të barabartë me ata.

Këta studentë kanë kërkuar lirimin e ambienteve të Fakultetit me qëllim vazhdimin e mësimit, ndërsa ju kujtuan “të transferuarve nga privati” që kanë firmosur një kontratë me shtetin për kushtet e vazhdimit të shkollës në ssitemin public, të cilës duhet t’ju përmbahen.

SALIANJI VIZITON GREVISTËT: MINISTRJA I DISKRIMINOI STUDENTËT
Shefi i departamentit për të drejtat e njeriut në Partinë Demokratike, Ervin Salianji vizitoi grevistët në Fakultetin e Infermierisë.
I pyetur nëse vizita e tij politizon grevën, Salianji shprehet se;
“Unë jam drejtues i departamentit për të drejtat e njeriut në PD dhe kam ardhur të interesohem për gjendjen e studentëve grevistë. Nuk kam të drejtë më të rëndësishme se e drejta e jetës dhe e drejta për arsim që qeveria po ua mohon. Ministrja diskriminoi studentët. Studentët nuk kanë asnjë faj, vullneti i tyre nuk ka ndryshuar. Ndodhen këtu për shkak të një gjendje të re që krijoi ministria me vendimin e saj. Kjo ndodh, njëherë në 25 vjet”.

(ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: