JEMEN– Konflikti në Jemen mes forcave qeveritare dhe rebeleve vijon, por ata të cilët po preken më shumë nga ky konflikt janë civilët, të cilët po përballen edhe me mungesën e ushqimeve. Sipas raportueses së OKB, teksa konflikti vijon të përshkallëzohet rreth 12.9 milion njerëz në Jemen po luftojnë për mbijetesë, ndërsa gjendja bëhet me alarmante me fëmijët. Situatën e krijuar atje na e përcjell nga zyrat e OKB-së në Gjenevë, e akredituara e “Fokus Media”, Mira Bregu.

“Teksa konflikti vijon të përshkallëzohet rreth 12.9 milionë njerëz në Jemen po luftojnë për mbijetesë pa pasur akses në furnizimet ushqimore” deklaroi raportuesja Hilal Elver, duke shprehur shqetësimin e thellë për situatën aktuale në vend.

“Gjendja me fëmijët është veçanërisht alarmuese ku sipas të dhënave rreth 850 mijë fëmijë jemenas përballen me kequshqyerjen, një shifër që pritet të rritet deri në 1.2 milionë raste gjatë javëve të ardhshme nëse konflikti vazhdon”, theksoi ajo.

“Vdekja e qëllimshme nga mosushqyerja e civilëve në dy konflikt e armatosura ndërkombëtare dhe të brendshme mund të përbëjë krim lufte, dhe gjithashtu mund të përbëjnë krim kundër njerëzimit”, paralajmëroi Elver.

Sipas saj, palëve në konflikt duhet t’u kujtohen detyrimet bazuar në të drejtën ndërkombëtare, se civilët dhe të burgosurit e luftës duhet të ushqehen dhe të kenë akses në ujin e pijshëm gjatë një konfliktit të armatosur.

(b.e/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb