Ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi ka reaguar në lidhje me situatën e rëndë e krijuar në vend nga reshjet e shumta të shiut.

Ai ka bërë me dije se Forcat e Armatosura, zjarrfikësit dhe emergjencave civile janë në gatishmëri për të ndihmuar banorët. Peleshi, me anë të një postimi në Facebook, u shpreh se janë evakuuar 8 familje në Shkodër e Lezhë.

Ai sqaroi gjithashtu se po vijojnë kërkimet për të gjetur babë e bir në Shkrel të Malësisë së Madhe.

Postimi i plotë:

Efektivë të FA me mjete transporti, motorbarka dhe të gjitha kapacitetet e shërbimit zjarrfikës, Policia e Shtetit, strukturat e emergjencave civile, shërbimi mjekësor janë prej orësh në gatishmëri për të ndihmuar banorët në qarqet ku situata e krijuar nga reshjet është më e rënduar.

Janë evakuuar 8 familje në qarqet Lezhë, Shkodër. Po punohet pa pushim për të larguar ujin nga ato banesa ku ka prani të tij.

Forcat në terren po vijojnë kërkimet për të gjetur babë e bir në Shkrel të Malësisë së Madhe. Pjerrësia e madhe e vendit dhe reshjet e dendura vështirësojnë punën për nxjerrjen e mjetit dhe trupave.

Me vëmendje maksimale po ndiqet situata, kudo ku ka shtim të prurjeve të lumenjve për të garantuar së pari jetën e njerëzve.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: