Deputetët e Kuvendit të Kosovës pritet të mblidhen sot në përpjekjen e 13-të për ta konstituuar Kuvendin, proces i cili ka mbetur i bllokuar në pikën e zgjedhjes së kryetarit të Kuvendit.

Lëvizja Vetëvendosje ka propozuar Albulena Haxhiun për këtë post, por kandidatura e saj po kundërshtohet nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), të cilat kanë deklaruar se Haxhiu nuk është figurë unifikuese dhe nuk do ta mbështesin me votë.

Pavarësisht këtyre qëndrimeve, LVV vazhdon të insistojë në emrin e Haxhiut. Lideri i kësaj partie, Albin Kurti, së fundmi i ka dërguar një letër kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku, duke e ftuar në një koalicion qeverisës.

Megjithatë, Abdixhiku e ka refuzuar ofertën, duke propozuar në vend të saj një qeveri tranzicionale – një ide që nuk ka gjetur përkrahje as nga PDK, as nga AAK.

Ndërkohë, kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka kërkuar nga Presidentja e Kosovës që të ndërmarrë një nismë për organizimin e një tryeze gjithëpërfshirëse politike, e cila do të shërbente si platformë për zhbllokimin e situatës dhe rikthimin e normalitetit institucional. PDK vlerëson se zgjidhja më e mirë për vendin është formimi i një qeverie të re nga partitë që më herët kanë qenë në opozitë.

Seanca e sotme është caktuar për në ora 10:00, me shpresën se Kuvendi do të mund të konstituohet pas dymbëdhjetë tentativave të pasuksesshme.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb