TIRANE – Edhe gjatë kësaj jave në të gjithë vendin, ka vijuar puna e përbashkët e Policisë së Shtetit dhe OSHEE-së për evidentimin dhe vënien para drejtësisë të autorëve të vjedhjes së energjisë elektrike, si dhe për ndërprerjen e lidhjeve të paligjshme të energjisë elektrike. Në një njoftim për shtyp të Policisë së Shtetit bëhet e ditur se nga datat 10-16 gusht, në të gjithë vendin kanë vepruar çdo ditë 85 grupe të përbashkëta Polici–OSHEE. Gjithashtu, janë kryer kontrolle të përbashkëta Polici-OSHEE në 4.332 raste.
Si rezultat i kontrolleve të kryera në terren në abonentët biznes dhe familjarë, janë evidentuar 30 raste të vjedhjes së energjisë elektrike me 32 autorë. Nga këta, janë arrestuar në flagrancë 8 persona të cilët akuzohen për vjedhje të energjisë elektrike. Janë shpallur në kërkim 10 persona, si dhe ndiqen në gjendje të lirë 14 persona.
Po gjatë kësaj periudhe janë ndërprerë 987 lidhje të abonentëve debitorë dhe 30 lidhje të paligjshme. Gjithashtu janë kontrolluar 84 kabina elektrike dhe abonentët që furnizohen nga këto kabina.
Gjatë kësaj jave janë arrestuar në flagrancë një elektricist dhe një përgjegjës filiali i OSHEE-së, si dhe është proceduar në gjendje të lirë drejtori rajonal i filialit të OSHEE-së, për “Shpërdorim detyre”.
Policia e Shtetit dhe OSHEE janë të vendosur ta çojnë deri në fund punën e nisur, deri në shkëputjen e fundit të lidhjeve të paligjshme, duke përballur me forcën e ligjit të gjithë ata persona, të cilët abuzojnë me energjinë elektrike, duke e vjedhur atë, qofshin këta përfaqësues biznesesh, individë, apo punonjës të vetë OSHEE-së.
(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: