Shtetet e Bashkuara thanë të dielën se kanë evakuuar 7400 persona të tjerë nga Kabuli gjatë 24 orëve të fundit, edhe pse zyrtarët amerikanë përballen me atë që Sekretari i Shtetit Antony Blinken e përshkroi si një “situatë tepër të paqëndrueshme në aeroport” pas marrjes nën kontroll të Afganistanit nga talebanët një javë më parë.

Ndërkohë, Sekretari i Mbrojtjes Lloyd Austin aktivizoi përdorimin e 18 avionëve civilë amerikanë të pasagjerëve nga gjashtë linja ajrore për të ndihmuar transportin e amerikanëve dhe afganëve nga vende të sigurta ku ata po qëndrojnë pasi u larguan nga Kabuli. Kjo është hera e tretë në 30 vitet e fundit që Shtetet e Bashkuara kanë kërkuar përdorimin e avionëve civilë për të ndihmuar ushtrinë.

Sekretari Blinken tha për emisionin “Fox News Sunday” se grupi i fundit i të evakuuarve amerikanë si dhe afganët që kanë ndihmuar Shtetet e Bashkuara gjatë 20 vitesh luftime në Afganistan, u larguan me 60 fluturime, me shumë prej tyre të drejtuara për në vendet e Lindjes së Mesme.

Një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë tha se Shtetet e Bashkuara kanë evakuuar në tërësi 25,100 njerëz javën e fundit dhe një total prej 30,000 që nga fundi i korrikut.

Skena kaotike në aeroportin e Kabulit të amerikanëve që përpiqen të largohen nga Afganistani dhe afganët që përpiqen të ikin nga atdheu i tyre i kontrolluar tashmë nga talebanët, janë duke u transmetuar në të gjithë botën prej disa ditësh.

Por këshilltari i Shtëpisë së Bardhë për sigurinë kombëtare, Jake Sullivan tha për emisionin “State of the Nation” të kanalit CNN se forcat amerikane “kanë rritur kapacitetin për të siguruar kalimin e një numri të madh të amerikanëve në aeroport dhe në fluturime nga aeroporti”.

“Për momentin, ne besojmë se kemi forca të mjaftueshme në terren” për të kontrolluar turmat që përpiqen të largohen nga vendi, tha zoti Sullivan në një intervistë tjetër në kanalin NBC.

Zoti Sullivan tha se “çdo ditë” Presidenti Joe Biden “pyet komandantët e tij ushtarakë, përfshirë ata në aeroport dhe në Pentagon, nëse kanë nevojë për burime shtesë, apo trupa shtesë. Deri tani, përgjigjja ka qenë “jo”, por ai do të pyesë përsëri sot”.

Ai tha se “nëse në fund amerikanët nuk arrijnë të shkojnë në aeroport, bllokohen për tu larguar nga vendi, ka ndërhyrje në ndonjë mënyrë në operacionet tona, ne u kemi shpjeguar [talebanëve] se do të ketë një përgjigje të shpejtë dhe të fortë”.

Ai tha se SHBA kanë “marrëveshje me 26 vende në të gjithë botën për të lëvizur në mënyrë logjistike afganët dhe amerikanët dhe shtetasit e vendeve të treta jashtë vendit dhe në bazat ajrore në të gjithë vendet fqinje dhe më larg”.

Ndërsa shumica e evakuimeve kanë ndodhur në aeroportin e Kabulit, SHBA gjithashtu dislokoi tre helikopterë ushtarakë për të shpëtuar 169 amerikanë nga një hotel.

Sekretari Blinken deklaroi: “Ne do të bëjmë atë që është e nevojshme për t’i larguar amerikanët nga rreziku”.

Ai devijoi pyetjet në lidhje me llogaritjet e gabuara të Shteteve të Bashkuara në lidhje me marrjen e shpejtë të kontrollit të qeverisë nga talibanët, duke thënë se do të ketë ” kohë të mjaftueshme për të përcaktuar se çfarë mund të ishte bërë ndryshe dhe çfarë mësimesh mund të nxirren”.

Por ai e pranoi se, “Ne besuam se qeveria nuk do të binte kaq shpejt dhe ushtria [afgane] të shpërbëhej”.

Në korrik, Presidenti Biden tha se ishte “tepër e pamundur” që talebanët të merrnin papritur kontrollin, siç bënë në fakt disa ditë më vonë.

Një kritik i Presidentit Biden, senatori republikan Ben Sasse nga shteti i Nebraskës, tha se udhëheqësi amerikan “duhet të shërbejë si komandant i përgjithshëm” për të kontrolluar evakuimin.

Ai tha se Shtetet e Bashkuara duhet të shqyrtojnë rimarrjen e bazës ajrore të Bagramit pranë Kabulit që e braktisën pasi forcat amerikane përfunduan operacionet e tyre atje.

Senatori Sasse e quajti largimin nga Bagrami “një nga gabimet më të kota”, duke lënë aeroportin e Kabulit si pikën e vetme kryesore të nisjes.

/VOA

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb