Qarku i Vlorës vijon të jetë i rrezikuar nga zjarret. Në një lidhje telefonike për “News24”, gazetari Enrik Mehmeti tha se situata më problematike është në Llogara, por edhe në Karaburun, ndërsa është normalizuar në fshatin Dukat.

Mes të tjerash, gazetari deklaroi se KLSH ka nisur kontrollin intensiv në të gjitha institucionet, që hyjnë tek Emergjencat Civile, që nga Ministria e Mbrojtjes, Drejtoria e Emergjencave Civile, etj., për të verifikuar të gjithë tenderat e bëra së fundi për pajisjet e marra për situata të tilla.

“Zjarri nuk është ndalur ende në Karaburun, edhe pse në Dukat është neutralizuar. Gjatë orëve të natës pamë një rrezik të madh në bazën e Pashalimanit, por fatmirësisht zjarri u shua pas 3 orësh. Nëse zjarri do arrinte te magazinat e municioneve, rreziku do të ishte tepër i lartë për të gjithë zonën. Operacioni me helikopter po vijon që prej orëve të mëngjesit. Situata është tejet problematike, me një rrezik, sa i përket pjesës së Llogarasë. Po punohet edhe për vatrat, që janë ndezur dje dhe sot. Janë të gjitha vatra të vendosura nga dora e njeriut. KLSH ka nisur kontrollin në të gjitha institucionet, që po punojnë dhe hyjnë te pjesa e Emergjencave Civile, qoftë te Drejtoria e Emergjencave Civile, në Ministrinë e Mbrojtjes, për të bërë verifikim të të gjitha tenderave të bëra së fundi për pajisjet e marra për situata të tilla. Ky kontroll pritet të kryhet në mënyrë intensive në të gjitha hallkat e këtyre institucioneve. Sipas burimeve nga KLSH, nëse do të hasen shkelje, do të ketë kallëzime në Prokurori”, tha gazetari Mehmeti.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb