KRUJË

Vijon situata e rënduar nga helmimi nga uji i pijshëm në Krujë.  “BalkanWeb” mëson se nga mesdita e djeshme deri sot në mëngjes kanë qenë rreth 130 persona, që i janë drejtuar spitalit për ndihmë, ku fluksi më i madh ka qenë gjatë darkës.

Aktualisht në spital nuk ka njeri që po merr ndihmë mjekësore për intoksikim alimentar, pra me shqetësimet që kanë shfaq për ujin.

Sipas informacioneve, depozita kryesore është dezinfektuar, është mbushur e derdhur dy herë dhe pritet leja nga ISHP për të nisur furnizimin me ujë të qytetit, pasi duhet të dalin analizat, të cilat me shumë gjasa dalin nesër.

Ndërkohë, ditën e djeshme prokuroria ka zbarkuar te ndërmarrja e Ujësjellës Kanalizime Krujë, ku janë marrë disa dokumente, si dhe janë marrë në pyetje drejtues të këtij institucioni.

Ndërkohë, ende nuk ka përgjegjës për këtë situatë. Disa firma të prodhimit e paketimit të ujit, por edhe biznese lokale, janë sensibilizuar ditën e djeshme dhe kanë dërguar në Krujë rreth 100 tonë ujë të paketuar.

Bizneset lokale e kanë shpërndarë nëpër kopshtet e çerdhet e qytetit, ndërsa firmat e kanë dorëzuar sasinë e ujit në bashki, e cila mbrëmjen e kaluar ka filluar shpërndarjen e tij te familjet në nevojë, si ato me ndihmë ekonomike, pensioniste, invalidë, etj.

Dy autobotë kanë shpërndarë ujë për nevoja personale mbrëmë në disa pika të qytetit.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb