TIRANE

Ky është rrëfimi i ish-të burgosurit të Spaçit Gëzim Çela i transmetuar në News24. Sonte u transmetua për herë të parë dokumentari “Kitarë e burgosur”, i realizuar nga Fondacioni Kujto.al dhe gazetarja Luljeta Progni.

Vikama e një gruaje vinte si zë i largët përmes dritareve të gjykatës së Rreshenit, kur grupi i dytë me 20 pjesëmarrës të revoltës së Spaçit po merrnin ridënimin. Gëzim Çela ishte një prej tyre dhe me sa duket i vetmi që po e dëgjonte atë vikamë… i ngjante më zërin e nënës së tij.

Nuk e priste, sepse e kishte takuar vetëm pak ditë më herët, kur kishte qenë takimi i radhës. Nëna nuk kishte arsye të gjendej atë ditë në Rrëshen, nuk kishte nga ta merrte vesh ç’kish ndodhur. Gëzimi u mundua ta largonte brengën, por ajo vikamë ende oshëtinte në veshët e tij.

Sapo u njoh me vendimin e gjykatës për ridënimin edhe me 15 vjet të tjera burg, lidhur bashkë me 19 të tjerët po zbriste shkallët që të çonin drejt qelive. Pyeti shokun e vet nëse e kishte dëgjuar edhe ai atë zë, por ai mohoi. Gëzimi kishte vendosur të mos i tregonte nënës, të mos ia shuante shpresën se mund të lirohej së shpejti.

Pas pak orësh në dritaren e vogël të qelisë u shfaq koka e një polici që pyeti: Është këtu Gëzim Çela?

Gëzimi u çua, ndërsa polici i zgjati një pako të mbështjellë që mbante emrin e tij. E kuptoi se nuk i kishin bërë veshët aspak. Instinktet e tij e kishin njohur vikamën e nënës. Pa vetëdije, shqisat e tij i kishin thënë se ajo kishte qenë aty. Kishte qenë nëna Rozë.

Ajo s’kishte lënë vend pa e kërkuar të birin. Ku ishte? Në Spaç, në burgun e Tiranës, në Burgun e Rrëshenit…? A ishte gjallë?

Sajoi atë pakon e vogël me të vetmen shpresë që të mos ja kthenin mbrapsht, ç’ka nënkuptonte se Gëzimi ishte gjallë. Dhe pakon nuk ia kthyen. Veçse as Gëzimi nuk do të kthehej për një kohë shumë të gjatë, e do të vazhdonte të mbetej vetëm, fillikat.

Nënë Roza vinte nga një familje shkodrane me tradita si ajo e profesorit Filip Llupit. U martua me Muharrem Çelën, pjesëmarrës në lëvizjen e Fan Nolit dhe më vonë prefekt i Durrësit dhe Tiranës. Pas çlirimit të Shqipërisë, çifti me djalin e tyre të vetëm, Gëzimin 9-vjeçar, vendosën të largohen nga Shqipëria. Fillimisht Nënë Roza me Gëzimin duhet të prisnin Muharremin në Mal të Zi për t’i marrë, por në panik nga luftimet e atyre kohëve, Nënë Roza me djalin u kthye në Shkodër tek njerëzit e saj, ndërkohë që Mehmet Shehu kishte ndërmarrë një fushatë spastrimesh ndaj kundërshtarëve të komunizimit. E mbetur vetëm, nënë Roza u detyrua të pranonte punë si mami në Lushnje, larg nga të gjithë të njohurit. Edhe pse pa asnjë njeri në krah, ajo arriti të krijojë respekt tek qytetarët e Lushnjes, ndërsa Gëzimi i saj i vetëm kishte krijuar shoqërinë e tij me të rinj artistë e intelektualë.

Pas arrestimit, nëna e tij filloi kalvarin e gjatë, duke e ndjekur të birin në kampet dhe burgjet, për ta takuar një herë në çdo dy muaj nga 15 minuta. Dhe Roza nuk mungoi asnjëherë në dhomën e takimit, për 22 vitet që Gëzimi ishte pas hekurave.

Jetoi me ndjenjën e fajit për gjithë ato vite, duke menduar se po të mos ishte kthyer nuk do të ndodhte kështu.  Në një prej takimeve iu kthye policit që i shoqëronte: Mirë ia bëni. Ta mbani këtu dhe t’i bëni ç’të doni se ia u solla me dorën time.

E pa të birin pas hekurave kur ishte ende fëmijë, kur rinohej, kur burrërohej… larg njerëzve, shokëve, larg të gjithëve. E pa gjithmonë të lodhur, të keqtrajtuar, të nëpërkëmbur e të dëshpëruar.

Edhe kur shpresonte se pas dënimit të parë do ta kishte në shtëpi, pranë vetes, ia morrën prapë. Edhe pas dënimit të dytë ia morrën prapë. Edhe kur e kishte në shtëpi presionet e kallëzimet për të birin nuk rreshtnin, derisa të merrnin prapë.

Ajo nuk u lodh duke ndjekur të birin deri në vitin 1984, deri kur Gëzimi ishte bërë 49 vjeç. Jetoi dhe për disa vite me të birin e dha shpirt e qetë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb