NGA: OLA MITRE*
Sektori i Gjetjes së të Zhdukurve nga Krimet e Komunizmit, pranë Institutit të Integrimit të të Përndjekurve Politikë ka zbuluar një prej varreve masive në Rrethin e Pogradecit. Sipas verifikimeve të kryera nga ky sektor, rezulton se vendi ku janë gjetur eshtrat njihet me emrin “Lumi i Tërhanit” dhe më herët ka qenë poligon i Ministrisë së Punëve të Brendshme. Ndërkaq, përmes një prononcimi dhënë për “Gazeta Shqiptare”, kreu i Institutit të të Përndjekurve, Bilal Kola thotë se zbulimi i këtij vendi i hap rrugën marrjes së të dhënave nga ana e familjarëve që ende nuk kanë gjetur njerëzit e tyre e që më pas do të shërbejnë për marrjen e mostrave të gjakut. Kjo pasi, procedura që do të përdoret për zbulimin e identitetit është ADN-ja.

“Ende nuk mund të themi se sa është numri i saktë i personave që ndodhen në vendin e zbuluar në Pogradec. Ajo që mund të them është se ato do të shkojnë pranë Institutit të Mjekësisë Ligjore për t’u ruajtur. Ndërkaq, kemi angazhuar njerëzit për marrjen e mostrave, që do ndihmojnë në kryerjen e procesit të ADN-së. Ne kemi ngritur infrastrukturën e nevojshme, dhe të gjithë ata që kanë persona të zhdukur në Pogradec, mund të vijnë të paraqiten pranë Institutit, që të depozitojnë kërkesat e tyre pranë Sektorit të Gjetjes së të Zhdukurve nga Krimet e Komunizmit pranë Institutit”, – u shpreh Kola. Po ashtu, sipas tij, dorëzimi i kërkesave për të gjetur eshtrat e të afërmve të tyre të pushkatuar dhe të zhdukur nga regjimi komunist mund të bëhet jo vetëm për rastin e Pogradecit, por edhe për raste të tjera nga gjithë qytetet e Shqipërisë. “Në institut marrim të dhënat nga familjarët dhe në momentin që fillon procesi për kryerjen e ADN-së, ne marrim kampionët e gjakut dhe ekzaminojmë përputhjen me mbetjet e eshtrave”, – saktëson Kola.

PLANI
Në dhjetor të vitit të kaluar, Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë prezantoi planin e veprimit për zbulimin e eshtrave të personave të zhdukur gjatë regjimit komunist. Ai ndahet në dy faza, ndërkohë që e para do të përfshijë një vlerësim të nevojave në përgatitje për projektet-pilot të Dajtit dhe Ballshit si dhe implementimin e tyre. Sa i takon fazës së dytë, ajo do të përfshijë: dorëzimin e sistemit të ICMP-së për menaxhimin e të dhënave të identifikimit (bazës së të dhënave), mbledhjen e mostrës-referencë të familjeve, krijimin e një regjistri qendror për personat e zhdukur, trajnim në fushën e aftësive të trajtimit të trupave në morg, si dhe testimin dhe përputhshmërinë e ADN-së.

Kjo pasi, ashtu sikurse është bërë e ditur më herët, metoda që do të përdoret për zbulimin e identitetit është pikërisht krahasimi i ADN-së së familjarëve. Gjatë prezantimit të planit të veprimit, ministri i MMSR-së, Blendi Klosi deklaroi se gjatë periudhës së komunizmit numërohen rreth 6.000 të zhdukur. “Sipas të dhënave aktuale, që nuk janë të plota, çmohet se rreth 6.000 persona të ekzekutuar apo të vdekur ndër burgjet e regjimit komunist në Shqipëri, gjatë periudhës 1945-1991, konsiderohen të zhdukur, pasi familjarët apo të afërmit e tyre nuk disponojnë të dhëna rreth vendit të prehjes përfundimtare. Shumë shqiptarë patën një fat tw jashtëzakonshëm: ata mbetën edhe pa varr, pa asnjë gjurmë në atdheun e tyre. Disa prej tyre, të gjendur para disa vitesh, presin edhe sot në morgun e një spitali në Tiranë që të identifikohen”, – u shpreh Klosi.

Më herët, “Gazeta Shqiptare” ka publikuar hartën e varrezave masive të identifikuara nga Instituti i Integrimit të të Përndjekurve Politikë. Në total janë 30 pika, ku supozohet se ka pasur varrime masive, të cilat i gjeni bashkëngjitur shkrimit. Ndërkaq, sfidë e procesit të zbulimit të eshtrave është gjetja e financimit për këtë proces, pasi, duke qenë se identifikimi përmes bëhet përmes ADN-së, kushton 1.500 dollarë për person.
(ed.me/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: