Analisti Fatos Lubonja foli për rrezikun e përhapjes së koronavirusit në një lidhje me “Skype” në rubrikën “Opinion”, në News24. Duke u ndalur te masat shtrënguese, Lubonja tha se përmes karantinimit po luftohet epidemia, por jo virusi, i cili sipas tij, do vazhdojë të jetë mes nesh.

Sa i takon faktit, nëse ka ardhur koha për të kaluar te faza dy, ajo e lehtësimit të jetës, analisti u shpreh se ky virus luftohet me vaksinë, ose duhen ilaçe efektive, që edhe nëse infektohemi, të mos na vrasë.

Pjesë nga intervista:
Në cilën fazë jemi?
Fatos Lubonja: Është e vështirë për ta ndarë me faza. Në një anë kemi rrezikun e virusit dhe nga ana tjetër rreziqet e tjera ekonomike. Neve na duhet të lundrojmë pa u përplasur, ose duke u dëmtuar sa më pak. Është akoma herët për të folur për një fazë dy. Mendoj se duhet të mbetet përqendrimi te rreziku i epidemisë, por duhet të kemi parasysh diçka, ajo që po bëjmë tani, kryesisht përmes karantinimit, është lufta me epideminë, jo me virusin. Ne po tentojnë të mos na shpërndahet virusi, por jo ta asgjësojmë atë.

Virusi do jetë mes nesh dhe sa kohë të jetë mes nesh është edhe pyetja e madhe, që lidhet me atë se diku kemi gabuar. Kur do të vijë momenti që të themi se virusi është mes nesh, por jo i rrezikshëm për të marrë jetë. Alarmi është i rëndësishëm të mbahet, por duhen pasur parasysh edhe dëmet që shkaktohen nga krahu tjetër, nga ekonomia, traumat psiqike, sëmundjet e tjera që mund të shkaktojë ky izolim, edhe ato mendore. I mbetet specialistëve që e njohin terrenin për ta përcaktuar më mirë.

A ka ardhur koha të hidhemi te hapi dy?
Kur them që ne po luftojmë epideminë, jo virusin, nënkuptoj që virusi do jetë mes nesh. Të luftosh virusin do të thotë që të gjesh vaksinën, ose ilaçe efektive, që edhe nëse infektohemi, virusi nuk na vret. Këtu të mos harrojmë se ka një problem, janë bërë testime të pjesshme vende vende, rezultatet janë të ndryshme. Problemi që mbetet është se përmes karantinimit ne po ruajmë njerëzit nga infektimi, pra shumica e jonë janë të paprekur nga infektimi, nuk e kanë imunitetin.

Edhe nëse na bëhet një testim, nuk e dimë se sa. Është sikur të kesh një fuçi baruti, ku fitili janë ata të sëmurët, që dalin dhe hedhin në erë fuçinë. Neve na duhet një imunitet, që pastaj të dalim të lirë. Kjo është pikëpyetje e madhe nëse ka apo jo imunitet nga ky virus dhe sa mund të zgjasë ai. Ndaj dhe lundrimi duhet të jetë i kujdesshëm për të krijuar mbijetesë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb