Skandali i ngacmimeve seksuale që ka shpërthyer në SHBA nga rasti “Weinstein” mbërrin edhe në Francë.
Pas aktoreve, mjekeve, policeve dhe konsulentëve financiare, radha i vjen disa eksponentëve në Frontin Nacional. Sipas “Le Monde”, “disa gra akuzojnë vazhdimisht se janë viktima të agresionit, ngacmimeve apo kërcënimeve nga anëtarët e partisë së ekstremit të djathtë.” Udhëheqja e partisë nuk ka reaguar për momentin.

E përditshmja franceze sjell një ngjarje të 29 korrikut 2016 kur u gjet një fishek i kalibrit 9 mm në koshin e plehrave të një zyre të partisë, në selinë e Këshillit Rajonal të Ile në Francë. Tre ditë më parë prifti Jacques Hamel ishte vrarë në një sulm xhihadist dhe gjetja e plumbit alarmoi policinë dhe madje edhe vetë Ministrin e Brendshëm, shkruan tgcom24.

Por, më pas u zbulua se plumbi ishte hedhur nga një bashkëpunëtore e vjetër e Frontit Nacional në ditën e saj të fundit të punës. Gruaja, e cila ka kërkuar anonimitet, i tha Le Monde se Axel Loustau, këshilltar rajonal i partisë dhe i afërt me lideren Marine Le Pen, e kishte sjellë plumbin si një kërcënim pas muajsh të tërë përplasjesh dhe presionesh.

Prej muajsh gruaja e fshihte plumbin në sirtarin e zyrës së saj, pa ditur çtë bënte me të.
Loustau e mohoi ndërsa Wallerand de Saint-Just, president i partisë në Parlament, pranoi se e kujtonte atë ditë, ndërhyrjen e policisë, por se nuk ishte në dijeni se si kishte përfunduar historia. Loustau është një njeri besnik i Marine Le Pen, arkëtari i lëvizjes së vogël të presidentit të FN, “Jeanne”.

Por nuk është e vetmja herë që kanë ndodhur ngjarje të tilla. Një këshilltare rajonale e FN, Aurelie Vournet, denoncoi ish-të dashurin, i cili e ka rrahur atë menjëherë pas një mbledhje të partisë. Vournet i ka treguar faktet Le Pen, por ajo i është përgjigjur që t’i drejtohej drejtësisë.

Në parti, pohon Le Monde, “kulti i burrërisë dhe kënaqësisë ndaj ‘sjelljeve gallike’, sipas një shprehjeje të përdorur nëpër korridore, mund të mbulojë sjelljet e problematike”.

Skandali edhe në Londër – Skandali i ngacmimeve seksuale zgjerohet gjithmonë edhe më shumë dhe arrin të prekë edhe politikën. Në Londër, deputeti i Partisë Konservatore britanike, Charlie Elphicke, 46 vjeç, u pezullua pas “akuzave të rënda” në ngarkim të tij të cilat po i nënshtrohen hetimeve nga policia.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb