Ish-kreu i Shërbimit Informativ Shtetëror (SHISH), Visho Ajazi, i ftuar në News24, komentoi mbi përplasjet e ashpra mes Izraelit dhe Iranit, duke theksuar rolin vendimtar të shërbimeve inteligjente. Ai deklaroi se Mossad ka arritur të ndërtojë rrjete të thella brenda territorit iranian, duke përfshirë përdorimin e teknologjive të avancuara për mbledhjen e informacionit.

Sipas tij, përmes aksesit në pajisjet elektronike, shërbimet izraelite kanë pasur mundësi të mbikëqyrin edhe figura të larta të regjimit iranian, përfshirë udhëheqësin suprem, Ali Khamenei. Ajazi sugjeroi se Mossad mund të ketë patur koordinata të sakta për të, por ndërhyrja politike nga presidenti amerikan Donald Trump ka ndikuar që ai të mos goditej.

Ai kujtoi një moment personal nga një vizitë në Izrael, kur një agjent i Mossad-it i kishte folur në shqip dhe i kishte rrëfyer lidhjet familjare me Prishtinën dhe Beratin, si dëshmi e pranisë dhe lidhjeve historike të gjera të Izraelit në rajonin tonë. Ajazi theksoi gjithashtu se për shkak të përmasave të vogla gjeografike, Izraeli nuk ka luksin të presë një sulm të drejtpërdrejtë – ndaj operon me strategji parandaluese, duke goditur para se të goditet.

Visho Ajazi, ish-kreu i SHISH: Shërbimet inteligjente izraelite kanë depërtuar shumë në Iran. Të dyja shërbimet e të dyja vendeve knë punuar për të krijuar rrjete informacioni, kombinuar me teknologjinë. Nëse ke akses në celularin e dikujt, keni akses dhe tek personi. Irani dhe Izraeli kanë një kohë të gjatë që kanë armiqësi të madhe. Izraeli është ndër vendet më të avancuara në botë sa i përket teknologjisë së informacionit. Një izraelit nga Mosad-i kur isha në Izrael më foli shqip dhe më tha sesi familje kemi qenë në Prishtinë, e më pas në Berat. Izraeli nuk e ka luksin që të presë një armik që ta sulmojë, sepse është vend i vogël dhe nëse ndodh një sulm, Izraeli rrezikon të zhduket. Irani gjithashtu ka tradita të hershme të zbulimit dhe kundërzbulimit. Izraeli derisa vrau shumë gjeneralë iraninë, e ka ditur dhe ky është Khamenei dhe ka qenë Trump mendoj që nuk ka pranuar të goditet Khamenei.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb