Deputeti Ferdinand Xhaferraj ka reaguar pas sekuestrimit të 119 kg kokainë gjatë ndërrimit të viteve.

Nëpërmjet një statusi në ‘Facebook’ , ai akuzon qeverinë se është e paaftë të marrë masa për të ndaluar trafikun e madh të drogës që kryhet përmes Shqipërisë , pasi sipas tij , tre mandatet i ka siguruar përmes përdorimit të parave të pista dhe nëpërmjet aleancës me krimin e organizuar.

“119 kilogramët e kokainës së Durrësit janë një kambanë e fortë alarmi kundër qeverisjes së kalbur të Edi Ramës, që gërryen çdo ditë besimin e qytetarëve tek shteti i së drejtës”, thekson ai.

Më tej Xhaferraj shton se Partia Demokratike dhe dega Durrës e saj kanë denoncuar me kohë përdorimin e Portit për interesat e ngushta të krimit të organizuar dhe për trafik pa pasoja të drogës.

Reagimi i plotë:

Një vit i ri i bardhë në Portin e Oligarkëve

119 kilogramë kokainë mbërritën në Durrës gjatë ndërrimit të viteve, një pjesë e vogël e trafikut të madh të drogës që kryhet përmes Shqipërisë. Sigurisht masa për ta ndaluar nuk mund të merren nga një qeveri që ka siguruar të tre mandatet përmes përdorimit të parave të pista dhe aleancës me krimin e organizuar.

Partia Demokratike dhe dega Durrës e saj kanë denoncuar me kohë përdorimin e Portit për interesat e ngushta të krimit të organizuar dhe për trafik pa pasoja të drogës, por vlen të theksohet se:

– Nisma Globale kundër Krimit të Organizuar Ndërkufitar vlerëson se rreth 60% e firmave të ndërtimit që kanë marrë leje në Tiranë nga 2017-2019 nuk justifikojnë burimet e tyre financiare.

– Në këtë periudhë 3-vjeçare vlerësohet se janë pastruar në aktivitetin e ndërtimit rreth 1.6 miliardë euro para të pista!

– Gjatë pandemisë, gjithçka në ekonominë shqiptare pothuajse ndaloi, ekonomia ra me 10%, ndërsa ndërtimet u rritën me mbi 5%.

Pa bekimin e kryeministrit dhe të krybashkiakut nuk merret dot asnjë leje ndërtimi për rezidenca dhe resorte që kushtojnë miliona euro dhe asnjë institucion nuk merr masa për të hetuar origjinën e këtyre investimeve dhe parave.

119 kilogramët e kokainës së Durrësit janë një këmbanë e fortë alarmi kundër qeverisjes së kalbur të Edi Ramës, që gërryen çdo ditë besimin e qytetarëve tek shteti i së drejtës.

Qartazi, e vetmja zgjidhje për këtë gjendje të papranueshme që mban peng zgjedhjet e lira, të ardhmen e qytetarëve dhe të vendit është propozimi I Partisë Demokratike për pastrimin e politikës përmes vetingut në politikë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb