Analisti Arian Vasjari i ftuar në emisionin “Real Story” në “News 24” tha se sot shqiptarët po përjetojnë dramën e dramave. Ai thotë se Shqipëria ka pësuar regres demokratik.

“Vetë përpjekja për të ndërtuar një paralele me 1997 tregon dekadencën e tmerrshme ku ne jemi. Bëhet fjalë për një ngjarje që ka ndodhur 22 vjet më parë dhe nëse ne do të pranojmë që jeta e racës njerëzore në tërësi por edhe jeta e një demokracie nuk është gjë tjetër, përpos se hapësira mes dy ngjarjeve e nëse ne ndërtojmë si referencë të parë vitin 1997 dhe si referencë të dytë 2019 atëherë 22 vjet që kanë kaluar, paskan kaluar kot në këtë vend. Mjafton vetëm kjo si analizë për të thënë se ne sot jemi në një regres demokratik edhe më të madh sesa viti 1997”, tha Vasjari.

Arian Vasjari theksoi se nëse në vitet e para të demokracisë kishte tmerre, por projektohej e ardhmja, sot më 2019 nuk mund të bësh dot plane për ardhmëri e nuk ka perspektivë.

“Jemi në regres demokratik, sepse unë them që problemi ynë më i madh është se na është perfeksionuar antidemokracia në këtë periudhë. Atëherë ishim më të paditur, më pak të ditur në demokraci dhe iluzioni që ndoshta më 1997 u ndërtua ose projeksioni ynë në dekadat e ardhshme ishte se ne do të reflektojmë, por se askush nuk mendonte se demokracia jonë më 2019 do të ishte në këto standarde që është sot. Mua më bind se sot Shqipëria është sot në një moment antidemokracie edhe më të thellë. 2019 në fakt është si dramë demokracie, që nisi me djegien e mandateve dhe përfundoi si tragjedi civile. Vizioni im është se pas shkurtit 2019, ne na zuri poshtë demokracia dhe pas tërmetit të 26 nëntorit faktikisht na zu poshtë edhe natyra. Por është një datë për mua që heq çdo alibi se të këqijat tona vijnë nga jashtë ose vijnë nga natyra ose nga jashtë. Ne jemi vetë e keqja dhe këtu s’kam asnjë kriticizëm të sëmurë se është bërë modë kritika. Në rrugën tonë të demokracisë, ka pasur ngjarje të errëta, por diku ndërtonim një dritëz, diku mbanim shpresat, unë them se në këtë moment ne nuk ndërtojmë dot as shpresë. Kjo mendoj unë është një regres thelbësor, krahasuar edhe me vitin 1997.

Viti 1997, me gjithë tragjizmin e saj, në fund të fundit, pasi sistemuam demokracinë, ndërtuam vizion e projekt për të ardhmen. Sot mendoj se as projekt për të ardhmen nuk ndërtojmë dot. Unë mendoj se shoqëria dhe politika ecin në një sistem binar, paralel. Kjo që ka ndodhur këtë vit ka pasoja që do i ndjejmë gjatë. Tregon se ne praktikisht kemi qenë një fake demokraci. Në këto gati 28 a 30 vjet. E keqja më e madhe është se sot unë personalisht e kam të vështirë që edhe vetë të ndërtoj një perspektivë ose të ardhme në këtë vend, imagjinoje si thonë ata 43 përqind e të rinjve që duan të ikin nga ky vend. Dhe kjo është drama e mbi dramave në këtë vend. Dhe çdo diskutim tjetër që në bëjmë mbi parlamentin, presidentin, zgjedhjet, standardet të gjitha etj nuk kanë asnjë lloj vlere. Shqiptarët janë një popull që nuk e duan Shqipërinë. Dhe nuk janë ata shkaku, ata janë pasoja e një demokracie, që për mua sot është absolutisht nën rrënoja”, u shpreh Vasjari.

(d.xh/ Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb