Ish-deputetja e Partisë Demokratike, Grida Duma e ftuar në rubrikën “Opinion” në studion e lajmeve në News 24 komentoi sot raport progresin progres-raportin e BE për Shqipërinë. Sipas Dumës është turp që kanë kaluar tashmë 7 vite dhe situata është keq e më keq.

Madje Duma thotë se në procesin e saj të integrimit, Shqipëria ka gjasa të shkëputet nga treni ku kish hipur më parë me Maqedoninë e Veriut.

Një gjë që s’ka ndodhur kurrë, siç tha edhe ish-deputetja është përmendja për herë të parë e zyrës së kryeministrit, e cila nuk koordinohet me ministritë, duke lënë pezull shumë projekte.

“Është viti i 7-të i mos hapjes së negociatave, turp i Zotit! lajm i keq si gjithmonë. Kjo është plotësisht përtej palëve politike. Edhe për opozitën do të kishte qenë e domosdoshme të ecnim me hapa më të shpejta drejt integrimit. Unë e njoh procesin, shqiptarët nuk kanë besuar më shumë tek qeveria, por tek fakti apo dëshira se sa BE do ua hapë derën. Kanë besuar tek BE, Europa dhe jo qeveria. Progres raporti me gjetjet e veta është nga më të këqijtë të mundshëm. Ekziston frika e madhe që do shkëputemi nga Maqedonia e Veriut.

Për herë të parë në këtë progres raport përmendet zyra e kryeministrit ku thuhet se koordinimi mes kryeministrisë dhe ministrive duhet të jetë i një raporti tjetër, se nuk ka koordinim. Shkatërrimi i këtij vendi vjen se ministritë nuk kuptohen me njëri-tjetrin. Pra, projektet mbeten pezull, investimet pezull, sepse ministritë nuk ekzistojnë por vetëm zyra e kryeministrit. Ky vend, gjënë më të keqe që ka është të vazhdojë me kulturën e 1-t. Ky vend bëhet nga grupi i të aftëve jo nga 1-shi që të kënaq me batuta dhe rezultati në fund është zero.

Në raport thuhet ndër të tjera se administrata publike është në dorë të një ligji të copëzuar. Janë hequr mbi 800 veta me statusin e nëpunësit civil nga puna, vetëm në këtë vit. Pra, ka rrezik të paguajmë dy administrata paralelisht. Këtu jemi te situata që zyra e kryeministrit është kthyer në problem, pra nuk ekzistojnë ministritë e linjës, po marr si shembull bashkimin e ministrive si Shëndetësia që ka marrë një pjesë të ministrisë së Punës. Erdhën me 300 mijë vende pune premtim këta, po s’ka më ministri të Punës. Në administratë po shterojnë burimet njerëzore.

Element tjetër që përmendet është mungesa e konkurreshmërisë në ekonomi. Bujqësia e copëtuar që prodhon me ngastra, si mund të avancosh me të në BE? Me turizmin që ke ende probleme me pronat? S’ke konkurrueshmëri. Elementi tjetër, reforma elektorale. Duhet të zbatohet dialogu thuhet në progres raport. Nëse mbahet konferenca e parë ndërkombëtare me BE, ku ka gjasa të ndahemi nga treni me Maqedoninë ne Veriut, kjo pika e dialogut nuk ka ku mbështetet, pasi qeveria nuk ka marrë vendime që rrjedhin nga dialogu. Një gjë duhet të kuptojnë shqiptarët sot, që pa drejtësi nuk ka ekonomi. Vetëm në Gjykatën e Lartë kanë mbetur pezull 35 mijë çështje”,- tha Duma.

Sa për ndryshimet në Kodin Zgjedhor, ish-deputetja Duma u shpreh se me to Rama tregoi që është në ditën e tij më të keqe.

“Asnjë dyshim që kundërshtari është sot në ditën më të keqe, me këto ndryshime shteti i ka rënë vetes me grusht. Për mua kjo qeverisje e ka minuar pjesëmarrjen e shqiptarëve në votime. U prish marrëveshja e 14 janarit, jo vetëm marrëveshja e prishur me amerikanët. Nuk kishte ndodhur ndonjëherë, e ka bërë Rama, është çmenduri politike që tregon gjendjen e keqe në të cilën ndodhet ai vetë, pra bën çdo zullum brenda që nga jashtë të shpëtojë fytyrën”.

Por çfarë do ndodhë brenda opozitës së Bashkuar pas ndryshimeve Kushtetuese që pengojnë koalicionet parazgjedhore? Duma tha se opozita është sot më e bashkuar se kurrë dhe bashkë po diskutojnë për të gjetur zgjidhjen sa më të mirë.

“Taktika për të dalë me një listë apo me dy do vijojë të diskutohet mes partive të koalicionit. Kjo taktikë i takon një rrethi forumesh, a e prek kjo rezultatin elektoral? Jo nuk e prek. Do respektohen aleatët. Për mua sot PD gëzon besueshmëri, pritet të shfaqet grupi fitues që do i shtohet këtij momenti të rëndësishëm politik. 25 prilli nuk do jetë vetëm rotacion pushteti, por do të mbyllë tranzicionin në këtë vend. T’i largohemi fjalëve, stileve dhe përfitimeve personale”,- vijoi Duma.

Sa për bashkëpunimin me LSI-së, Duma theksoi: “Në dijeninë time dhe aq sa marr pjesë unë, gjëja më e mirë është se flitet hapur për çdo opsion me aleatët. Koalicioni opozitar është bërë edhe më unifikues për gjetjen e një rezultati se si të dyja forcave do iu bëhet më mirë. Sot s’ka asnjë qejfmbetje mes palëve, po shkojmë drejt një formule win-win”.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: