TIRANË

Pak ditë para nisjes së procesit arsimor në sistemin shkollor parauniversitar, mësuesit kanë nisur njoftimin e prindërve për orarin e zhvillimit të mësimit.

Sipas këtyre njoftimeve, në disa shkolla në kryeqytet mësimi do të zhvillohet ashtu si në vitin e kaluar mësimor, pra me dy turne për klasat fillore deri në të pestën për të respektuar masat kundër COVID-19 dhe ruajtur distancat në klasa.

Pra mësimi do të zhvillohet në oraret 08:00 me 10:00 dhe 10:30 me 12:30. Ndërkohë që mbetet ende për t’u parë si do të zhvillohet mësimi për klasat më të larta, nga e gjashta, pasi vitin e kaluar kanë qenë pjesërisht online.

Kujtojmë se një ditë më parë ministrja e Arsimit Evis Kushi zhvilloi një takim me drejtuesit e Zyrave Vendore Arsimore, ku deklaroi se viti i ri shkollor do të nisë me respektimin e masave anti-COVID në çdo shkollë.

Ajo informoi se në respekt rigoroz të ruajtjes së distancës, në shkollat apo klasat ku është e nevojshme, do të aplikohet përsëri mësimi me turne.

Të pyetur nga “BalkanWeb”, burimeve nga MASR deklaruan se do të zbatohet protokolli i përcaktuar në udhëzuesin e MSHMS dhe se zbatimi i do të jetë tërësisht i bazuar në situatë dhe sipas situatës së koronavirusit në një zonë të caktuar.

Njoftimin për nxënësit do të bëhet nga ZVA-të në bashkëpunim me shkollat, sipas rekomandimit të ISHP-së. Me të njëjtën procedurë  do të përcaktohet dhe mënyra e organizimit të mësimit.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: