ELBASAN- Universiteti e Elbasanit “Aleksandër Xhuvani” sivjet rezulton se ka rreth 13 mijë aplikime nga maturantët, në 42 programe studimi për vitin e ri akademik 2018-2019. Ndërkohë, ka filluar procesi i regjistrimit për të gjithë fituesit që do të zgjasë deri në 12 shtator.

Fakulteti me më shumë aplikime është FSHMT me rreth 5000 aplikime për 710 kuota të planifikuara.Zv. rektori prof. Peçi Naqellari thekson se numri i aplikimeve gjatë raundit të parë në Universitetin e Elbasanit për vitin e ri akademik 2018-2019 ka shënuar rritje me vitet e fundit.

Për vitin e ri akademik 2018-2019 në Universitetin e Elbasanit ka pasur rreth 13 mijë aplikime. Sigurisht që numri i aplikimeve është shumë i lartë në pamje të parë, por kjo ndodh pasi studenti mund të aplikojë në 10 programe studimi. Kjo tregon që interesi i maturantëve për të studiuar në këtë universitet është i lartë.

-Disa prej programeve të studimit më të parapëlqyera nga maturantët këtë vit akademik.
Në raport me kuotat e miratuara, programet e studimit më të parapëlqyera në Universitetin e Elbasanit, duke iu referuar numrit të aplikimeve, vazhdojnë të jenë programet në Fakultetin e Shkencave Mjekësore Teknike me rreth 5000 aplikime dhe në Fakultetin Ekonomik me rreth 3000 aplikime. Gjithashtu edhe për programet e studimit në Fakultetin e Shkencave të Edukimit, në Fakultetin e Shkencave Humane dhe në Fakultetin e Shkencave të Natyrës ka pasur mjaf interes nga maturantët, me rreth 1500-2000 aplikime për fakultet.

Pra, konstatojmë se ka interes, normalisht jo të gjithë kanë të njëjtin intensitet aplikimesh, por përgjithësisht disa programe studimi janë janë të kërkuara nga maturantët dhe me fillimet e regjistrimeve të paraqiten dhe të bëhen pjesë e programeve të studimit.

-Vijimi i procesi i regjistrimit në Universitetin e Elbasanit. Procedura që duhet të ndjekin fituesit.
Procedura e regjistrimi është pothuajse njësoj me vitin e kaluar, me ndryshime të vogla që nuk cënojnë parimin e përgjithshëm të procedurës së regjistrimit. Ne kemi paraqitur renditjen e listës së aplikantëve për çdo program studimi, që janë vënë në dispozicion edhe në portalin U-albania (portali ku do të regjistrohen studentët).

Drejtues të Universitetit të Elbasanit deklarojnë se ka patur asnjë ankimim në lidhje me vlerësimin dhe renditjen për çdo program studimi.

Regjistrimet kanë filluar dhe maturantët duhet të paraqiten me dokumentacionin përkatës pranë sekretarive mësimore të fakulteteve që janë shpallur fitues. Gjithashtu, maturantët duhet të kenë kujdes dhe të kontrollojnë në portalin U-albania lëvizjen e vijës së kuqe dhe në fazën pasardhëse aplikanti njoftohet paraprakisht që është shpallur fitues në një prej programeve ku ka aplikuar.

Maturanti duhet të regjistrohet në programin që është shpallur fitues brenda periudhës 30 gusht deri në 12 shtator të këtij viti që janë 7 fazat e raundit të parë.

-Dokumentacioni që duhet të paraqesin fituesit pranë sekretarive mësimore.
Maturantët fitues duhet të paraqesin pranë sekretarive mësimore personalisht (ose në mungesë të tyre përfaqësuesin e autorizuar me prokurë) këto dokumente: mjetin e identifikimi dhe një fotokopje të saj; fotokopje të noterizuar të diplomës së maturës shtetërore ose të dëftesës së pjekurisë; si dhe certifikatën e notave. Gjithashtu, fituesit duhet të plotësojnë edhe një deklaratë që e gjejnë pranë sekretarive mësimore. Kështu përfundon procesi i regjistrimit.

-Ndërrimi i programit të studimit dhe raundi i dytë për aplikime.
Në datën 13 shtator, sipas udhëzimit, mund të çregjistrohen maturantët duke paraqitur një kërkesë dhe të tërheqë dokumentacionin nga Sekretaria. Nëse nuk çregjistrohet brenda 13 shtatorit, ai nuk ka më të drejtë të ndryshojë programin e studimit për këtë vit akademik. Pas kësaj fillon raundi i dytë dhe studenti i çregjistruar mund të riaplikojë sërish nga e para në programin e studimit që dëshiron.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb