TIRANE

Sheshi Skëndërbej, në prag të Vitit të ri Kinez, por edhe për të festuar 70-vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis Republikës Popullore të Kinës dhe Republikës së Shqipërisë, është stolisur me fenerë shumëngjyrësh të prodhuar nga mjeshtrat kinezë. Kjo është një traditë e vjetër kineze, që erdhi edhe në Tiranë përmes ngjyrave, fenerëve ndriçues, këngëve festive kënduar nga fëmijët shqiptarë që studiojnë gjuhën kineze dhe padiskutim, përmes spektaklit të fishekzjarreve.

Ambasadori i Republikës Popullore të Kinës, në Shqipëri, Zhou Ding u shpreh se fenerët nuk do të ndriçojnë vetëm sheshin Skëndërbej, por edhe rrugën e marrëdhënieve dhe miqësisë midis Kinës dhe Shqipërisë.

“Unë sapo kam marrë detyrën e ambasadorit në Shqipëri dhe për mua është një  kënaqësi që të festoj bashkë me qytetarët e Tiranës Vitin e Ri kinez në këtë vit jubilar të 70 vjetorit të marrëdhënieve midis dy vendeve tona. Festivali I ndezjes së fenerëve është një festë tradicionale kineze  festuar dhe  mirëpritur në disa vende të botës, prandaj ne menduam që këtë vit ta festonim edhe në Tiranë, një inisiativë e përbashkët mes ambasadës dhe Bashkisë së Tiranës. Ky aktivitet  do të shërbejë edhe për njohjen ndërkombëtare të qytetit të Tiranës dhe Shqipër, pasi do të pasqyrohet edhe në tv kombëtar kinez dhe do të shihet nga qindra-milionë kinezë.” u shpreh ambasadori i Kinës në vendin tonë.

Me rastin e 70-vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve, Ambasadori Ding, tha se do të shkruhet një faqe e re e miqësisë koni-shqiptare, dhe se këto marrëdhënie do të forcohen më tutje.

“Marrëdhëniet mes Kinës dhe Shqipërisë kanë njohur gjithmonë një zhvillim normal. Mes dy vendeve është rritur besimi, rritja e shkëmbimeve dhe marrëdhënieve ekonomike, janë shtuar investimet kineze, një marrëdhënie tjetër janë edhe shkëmbimet kulturore.”- tha ambasadori Ding.

Studentët kinezë që studiojnë gjuhën shqipe prezantuan të ftuarit me kulturën kineze, të pozicionuar në çdo fener. Ky vit sipas ciklit të horoskopit Kinez është Viti i Derrit dhe në kulturën kineze, derrat janë simbol i pasurisë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb