TIRANË

Dy ditë para nisjes së vitit të ri shkollor në kushtet kur vendi ndodhet si e gjithë bota nën kthetrat e pandemisë së koronavirusit, pikëpyetje të shumta shqetësojnë prindërit dhe fëmijët. Një protokoll i posaçëm është përgatitur nga qeveria dhe do të ndiqet nga çdo institucion arsimor në vend. Sa janë gati shkollat? Sa do të zbatohen masat antiCOVID? A janë të gjitha mjetet e nevojshme si dezinfektantë në shkolla, uji etj? Por nëse zbulohet një rast me COVID-19 çfarë do të ndodhë?

Këtyre pyetjeve i janë përgjigjur në studion e News24 në rubrikën “Opinion”, Anuela Ristani, nënkryetare e Bashkisë Tiranë, Milka Jojic përgjegjëse e sektorit të koordinimit dhe monitorimit të inspektimeve në ISHSH dhe Zamiri Gjini, drejtore e politikave dhe strategjive të zhvillimit të arsimit në MASR.

Zonja Gjini deklaroi se në të gjitha shkollat janë marrë masat që mësuesit dhe nxënësit të jenë të sigurt. “Shkollat janë dezinfektuar, janë pajisur me dezinfektantë që nxënësit dhe mësuesit të pastrojnë duart.

Shkolla ka marrë masa për respektimin e distancave. Do bëjmë kujdes me fëmijët që vijnë në shkollë që të ambientohen me këtë situatë të re, për distancimin, dezinfektimin, larjen e duarve.

Shkollat ku nuk mund të zbatohet protokolli do të bëjnë mësim online. Ne iu kemi lënë lirshmëri drejtorëve të shkollave që në varësi të kushteve në shkollë të vendosin se si do ta realizojnë kthimin”, deklaroi zyrtarja e MASR.

Milka Jojic, përgjegjëse e sektorit të koordinimit dhe monitorimit të inspektimeve tha se nga e hëna në të gjitha shkollat do të ketë inspektime të befta. “Pjesa që kemi inspektuar ne kur janë dhënë provimet e maturës ka qenë një provë se si do funksionin masat e protokollet antiCOVID. Janë kryer rreth 850 inspektime në të gjitha shkollat e vendit.

Shkollat kanë marrë furnizime me detergjentë. Janë lënë detyra dhe janë furnizuar. Shkollat që kemi inspektuar të pajisura me ujë, me dezinfektantë, distancat. Javën e fundit kemi parë përgatitje maksimale të të gjitha shkollave”, deklaroi ajo.

Jojiç apeloi që drejtuesit e shkollave të mos e humbin asnjëherë vigjilencën që asnjë nga pikat e protokollit të mos çedojë. “Me shfaqjen e një shenje sado të vogël, duhet të lajmërohen menjëherë institucionet shëndetësore”, tha ajo.

E pyetur nëse ISHSH ka tagrin të kërkojë mbylljen e shkollave që nuk zbatojnë protokollin, ajo tha se një nga masat është paralajmërimi dhe lënia e detyrave. “Këto kërkesa shkojnë në bashki në drejtoritë Arsimore dhe këto kërkesa plotësohen brenda afatit të caktuar.

Inspektimet do të nisin nga e hëna nëpër shkolla. Jemi gjatë gjithë ditës dhe do monitorohen të gjitha turnet e mësimit. Kontrollet do të jenë në mënyrë të beftë”, deklaroi Jojiç.

Anuela Ristani, Nënkryetare e Bashkisë Tiranë tha se nuk ka asnjë shkollë që nuk do hapet për shkak të mosrespektimit të protokollit të COVID-it në bashkinë e Tiranës por se mund të ketë shkolla të dëmtuara nga tërmeti ku mësimi nuk do të jetë i mundur.

Ristani theksoi se është plotësuar çdo lloj nevojë dhe për dezinfektantë. “Kopshtet dhe çerdhet e bashkisë së Tiranës i kemi hapur që në qershor dhe është një provë se si do funksionojë. Ka pasur raste të infektimit të stafit dhe masat janë marrë sipas protokolleve. Pra e dimë se si do veprohet”, theksoi ajo.

Ndërkohë drejtoresha e politikave dhe strategjive të zhvillimit të arsimit, Gjini tha se MASR, zyrat arsimore dhe MSH kanë krijuar një rrjet koordinatorësh në çdo shkollë. “Jemi në komunikim dhe kemi lidhje me këto struktura që për rastin e parë që do të shfaqet, mësuesit, prindërit do lidhen me koordinatorin dhe rast pas rasti do fillojnë procedurat.
Ne kemi siguruar dezinfektantë për të gjitha shkollat e Shqipërisë, me ndihmën e disa organizatave. Nëse prindi do t’i japë dezinfektantë fëmijës mund t’i japë. Asnjë prind me detyrim të çojë dezinfektantë në shkollë”, deklaroi Gjini.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb