Në bashkinë e Elbasanit një shkollë është mbyllur, 3 të tjera do jenë të bashkuara dhe 2 vartëse. Me këto ndryshime nisi viti i ri shkollor 2022-2023 në Elbasan.

Për këtë vit vetëm një shkollë është mbyllur për mungesë të nxënësve, ajo në fshatin Seltë të bashkisë Elbasan, pasi rezultoi pas disa dekadash me 0 nxënës. Ndërkohë që janë bashkuar shkollat e Cerunjës, Berzhitës dhe Petreshit.

Në varësi kalojnë shkollat e fshatit Shelcan dhe Xibrakë. Në klasën e parë këtë vit u ulën 1100 nxënës, 60 më pak krahasuar me një vit më parë, ndërsa në vitet e para pritet të ulen 890. Kreu i ZVA Elbasan bëri me dije se mbyllja dhe bashkimi i shkollave nuk rrezikon mësuesit, pasi ata janë sistemuar tashmë. Edhe këtë vit në Elbasan në disa shkolla do të zhvillohet mësim me dy turne.

Ekzaktësisht në 10 prej tyre përkatësisht 2 ne fshat 8 në qytet mësimi edhe këtë vit do të zhvillohet me turne. Në Bashkinë e Elbasanit, si edhe në 12 Njësitë Administrative të saj. Pas dy vitesh viti shkollor ka nis pa masat anticovid.

Ndonëse pushteti lokal bën me dije se prej disa javësh është punuar në të gjitha shkollat dhe çerdhet e Bashkisë, për lyerjen, si edhe rikonstruksionin me qëllim që të sigurohen ambiente të sigurta dhe komode për nxënësit të cilët do të nisin vitin e ri shkollor, nuk mungojnë as problematikat.Në juridiksionin e bashkisë Elbasan janë rreth 132 godina të institucioneve arsimore parauniversitare nga të cilat 8 janë shkolla të Mesme të përgjithshme, 8 janë shkolla të Mesme të Bashkuara, 99 shkolla 9-të vjeçare dhe 17 kopshte të shpërndara në 12 Njësitë Administrative të kësaj bashkie.

Një nga shkollat problematike që vijon të qëndrojë e mbyllur si pasojë e tërmetit të para tre viteve është ajo e Treganit. Referuar kësaj shkolle bashkia bën me dije se aktualisht nxënësit janë transferuar në Kuqan, ku Bashkia e Elbasanit ka mundësuar për nxënësit si dhe për stafin mësimor linjat e dedikuara të transportin.Sa i përket rikonstruksionit të shkollës së Treganit, Bashkia ka një projekt dhe është në pritje të financimit edhe pse ka tre vite që thotë të njëjtën gjë.

Probleme me infrastrukturën kanë disa shkolla ne qytet. Në disa prej tyre mësohet se shpejtë do të nisë rikonstruksioni ndërsa në disa të tjera ende jo. Një ndër shkollat ku projektet e ndërhyrjes do të jenë larg është ajo Ptoleme Xhuvani, ku si pasojë e kushteve nxënësit po e braktisin. E njëjtë situata paraqitet edhe në shkollën Hamit Mulllisi.

Një vit më parë bashkia premtoi se nxënësit e kësaj shkolle do të transferohen në ambientet e kolaudimit, por deri me tani situata vijon të jetë e njëjtë. Në dy shkolla me plot traditë në Elbasan si ajo “Naim Frashëri” dhe shkolla Artistike Onufri si dhe gjimnazin Kostandin Kristoforidhi premtohet se punimet për rikonstruksion do të nisin shpejtë. Ndërkohë prindërit kanë shoqëruar fëmijët e tyre në nisjen e klasës së parë, duke u shprehur të kënaqur që ky vit shkollor kishte nisur pa mbajtjen e maskave anti-covid.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb