VATIKAN

Me rastin e vitit mbarëkombëtar kushtuar Gjergj Kastriot Skënderbeut në 550-vjetorin e vdekjes së tij, Papa Françesku ka pritur në Vatikan një delegacion shqiptar. Grupi shoqërohej nga kardinali Simoni, nga pesë ipeshkvij katolikë, dy ipeshkvij arbëreshë, krerë e përfaqësues të besimeve të tjera fetare nga Shqipëria. Në delegacion merr  pjesë edhe kreu i Kuvendit të Shqipërisë, ministra, biznesmene e drejtues të mediave. Në delegacion merr pjesë edhe pronari i Hysenbelliu Grup zoti Irfan Hysenbelliu.

Duke kujtuar Skënderbeun, Papa Françesku nënvizoi se Heroi kombëtar i shqiptarëve “mbrojti me guxim vlerat shpirtërore dhe emrin e krishterë, aq sa të meritonte titullin ‘Athleta Christi’. Me veprat e tij, farkëtoi identitetin kulturor shqiptar, duke u bërë simbol i padiskutueshëm lidhjeje dhe bashkimi kombëtar”. Por Ati i Shenjtë nuk mbeti në kohët e shkuara. I nxiti shqiptarët për “një impenjim të të gjithëve – institucione e qytetarë – në favor të zhvillimit të vërtetë e të ekuilibruar.

“Uroj me gjithë zemër që ky përvjetor të mos kufizohet në kremtimin e lavdisë së veprave të kaluara, por të jetë për Shqipërinë edhe rast i volitshëm për impenjimin e të gjithëve – institucione e qytetarë – në favor të një zhvillimi të vërtetë e të ekuilibruar, në mënyrë që brezat e rinj të mos detyrohen të zgjedhin emigracionin”.

Ati i Shenjtë kujtoi atmosferën e respektit e të besimit të ndërsjelltë ndërmjet feve në Shqipëri – fakt, që e përmendi edhe gjatë udhëtimit të tij apostolik në vend, më 21 shtator 2014. E së fundi, kujtoi martirët e komunizmit dhe Nënë Terezën, shenjten shqiptare të dashurisë, duke u kërkuar të gjithëve të luten për të.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb