Nga: FATOS TARIFA *
Në vjeshtën e vitit 2010,kancelarja gjermane, Angela Merkel deklaroi se në vendin e saj, ideja se vendasit dhe emigrantë me prejardhje të ndryshme mund të jetonin të lumtur “krah për krah njëri-tjetrit” nuk ka funksionuar dhe se përpjekjet e Gjermanisë për të krijuar një shoqëri multikulturore kanë “dështuar tërësisht”. Disa muaj më vonë, në shkurt të vitit 2011, kryeministri britanik, David Cameron, në një konferencë për çështje të sigurisë në Munih, deklaroi se: “Multikulturalizmi në Britani ka dështuar të ofrojë vizionin e një shoqërie të tillë, së cilës të ndihen se i përkasin anëtarët e të gjitha grupeve etnike. Ai u shpreh se: “Ne kemi dështuar t’u ofrojmë (emigrantëve myslimanë) vizionin e një shoqërie, së cilës ata të ndihen se i përkasin… Ne, madje, i kemi toleruar komunitetet e segreguara të tyre të sillen në mënyra të tilla, që janë në kundërshtim me vlerat tona. Këto kanë bërë që një pjesë e të rinjve myslimanë të ndihen se nuk kanë vend askund. Dhe kërkimi i diçkaje së cilës t’i përkasin dhe tek e cila të besojnë mund t’i bëjë ata që të përqafojnë ideologji ekstreme.
Sipas Cameron-it dhe një numri politikanësh e autorësh europianë, dështimi i multikulturalizmit në Europë implikon mjaft probleme dhe rreziqe. Së pari, multikulturalizmi ka inkurajuar më shumë përjashtimin, sesa përfshirjen e komuniteteve të emigrantëve të huaj në jetën dhe në kulturën e shoqërive pritëse, duke bërë që ato të kenë jetë paralele me ato të popullsive vendase, pa u integruar në to, ose pa u asimiluar prej tyre. Së dyti, duke bërë jetë paralele, këto komunitete kanë ruajtur dhe ruajnë vlerat e tyre etnike e fetare dhe mënyrat e sjelljes së tyre, të cilat, shumë herë, bien ndesh me ato të shoqërive pritëse. Së treti, këto komunitete të veçuara emigrantësh krijojnë, ose mund të krijojnë një terren të volitshëm për radikalizimin e një pjese të anëtarëve të tyre. Cameron bëri thirrje që Europa “të zgjohet e të ndërgjegjësohet për atë çka po ndodh”, për “t’i shkuar problemit në rrënjët e tij”.
Shqetësimit të Merkeli-it e të Cameron-it, iu bashkua edhe Presidenti i Francës i asaj kohe, Nicolas Sarkozy, i cili deklaroi publikisht se, deri më sot: “Ne kemi qenë shumë të preokupuar për sa i përket identitetit të personit që po vinte (në vendin tonë), por nuk jemi preokupuar shumë për identitetin e vendit që e priste atë”. Njëlloj si këta tre drejtues të vendeve kryesore të Bashkimit Europian, edhe liderë të tjerë—fjala vjen, ish-kryeministri spanjoll, José Maria Aznar dhe ish-kryeministri australian, John Howards, kanë deklaruar se politikat e multikulturalizmit nuk kanë arritur të kenë sukses në integrimin e emigrantëve të huaj në vendet e tyre.
Duhet thënë, sidoqoftë, se jo kushdo mendon si ata. Studiuesi anglez, Anthony Heath, për shembull, sugjeron se “jo të gjitha komunitetet etnike në Britani sillen e veprojnë në kundërshtim me vlerat e shoqërisë britanike”. Po kështu, sociologu i shquar anglez, Anthony Giddens, e kundërshton idenë se politika e multikulturalizmit ka qenë e gabuar ose se ajo ka dështuar. Giddens argumenton se “që nga koha kur ideja e multikulturalizmit u formulua për herë të parë, bota ka ndryshuar shumë” në një mënyrë që ai vetë e quan “interkulturalizëm”. Sipas tij, ky koncept është më i përshtatshëm për të kuptuar “kontekstin e kësaj epoke të ‘superdiversitetit’ në të cilën jetojmë sot si rezultat i internetit”.
* * *
Deklaratat e sipërpërmendura të disa prej liderëve europianë e rritën (dhe vazhdojnë ta mbajnë të ngritur) temperaturën në debatin e sotëm mbi emigracionin në Europë. Deklarata të tilla, qëndrimet e politikanëve të ndryshëm europianë ndaj emigracionit dhe zhvillimet e reja në kontinent lidhur me këtë çështje, përfshirë së fundi ngjarjen tragjike në Paris, në 7 janar të këtij viti, më bëjnë të reflektoj mbi dallimet që ekzistojnë midis integrimit social dhe kulturor të emigrantëve të huaj në vendet e Bashkimit Europian, nga njëra anë, dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, nga ana tjetër.
Që në fillim dëshiroj të vë në dukje se problemet e emigrantëve në Europë, sidomos të emigrantëve nga vendet myslimane, janë shumë të ndryshme dhe shumë më akute sesa në Shtetet e Bashkuara. Edhe pse absorbimi i emigrantëve të huaj në Amerikë (kryesisht nga vendet në zhvillim) vazhdon, Amerika nuk vuan nga simptomat e dispepsisë kulturore që kanë filluar të shqetësojnë prej kohësh shumë prej vendeve të Bashkimit Europian. Shumica e emigrantëve myslimanë filluan të vinin në Europën Perëndimore pas Luftës së Dytë Botërore, duke u vendosur në vende me popullsi përgjithësisht homogjene nga pikëpamja etnike.
Në Europë, problemet e emigrantëve sot nuk kanë të bëjnë vetëm ose thjesht me shifra. Ndryshe nga Amerika, ku emigrantët myslimanë janë gjeografikisht të shpërndarë në shtete të ndryshme dhe përgjithësisht janë në gjendje të mirë ose të kënaqshme ekonomike, ndryshe edhe nga ajo masë e madhe emigrantësh nga vendet e Amerikës Latine (komuniteti “latino”, ose “hispanik”), të cilët në SHBA përbëjnë sot minoritetin më të madh (rreth 17 për qind të popullsisë), emigrantët myslimanë në Europë, në pjesën më të madhe, mbeten të pandikuar nga kultura e vendit pritës dhe të paintegruar në jetën shoqërore, ekonomike e kulturore të tij.
Është e lehtë të vësh re, fjala vjen, dallimin gjithnjë e më problematik të shoqërisë franceze (në francezë dhe në emigrantë të paasimiluar) nga shoqëria amerikane, e cila është vërtet një shoqëri shumë më e hapur dhe më e diversifikuar. Siç vë në dukje filozofi francez Jean-François Revel, në librin e tij Anti-amerikanizmi “Suksesi dhe origjinaliteti i integrimit amerikan shpjegohet kryesisht me faktin që fëmijët dhe pasardhësit e tjerë të emigrantëve mund t’i ndjekin dhe t’i respektojnë vlerat kulturore të paraardhësve të tyre, ndërkohë që ata e shohin veten e tyre dhe mendojnë si qytetarë amerikanë në kuptimin e plotë të fjalës”.
Shumica e amerikanëve do të shokoheshin nëse mësonin se sa prapa Amerikës janë në këtë drejtim vendet europiane, në radhë të parë Franca dhe Gjermania. Madje, edhe vetë termi “emigrant” ka një kuptim të ndryshëm në Europën kontinentale nga kuptimi që ka ky term në Shtetet e Bashkuara. Përgjithësisht, në Europë si “emigrantë” kuptohen dhe trajtohen jo thjesht emigrantët nga vendet e huaja, por edhe fëmijët dhe, shumë herë, mbesat dhe nipërit e tyre. Është pikërisht brezi i dytë dhe i tretë i emigrantëve nga Afrika e Veriut dhe nga Turqia, të cilët u vendosën në Europë pas Luftës së Dytë Botërore, për të plotësuar nevojat e tregut të punës në kontinent në vitet 1950 dhe 1960, si dhe ata nga vendet e Lindjes së Mesme, që janë bërë sot objekt i urrejtjes dhe i armiqësisë në shumë vende të Europës Perëndimore.
* * *
Për dekada me radhë, politikanët europianë, si ata të krahut të majtë ashtu edhe të djathtë, i kanë injoruar problemet e shumta që kishin ose kanë të bëjnë me rritjen në numër dhe segregimin gjithnjë e më të madh të emigrantëve myslimanë, të cilët formojnë klasën më të ulët në çdo shoqëri europiane. Ndërkohë, fëmijët e lindur nga prindër emigrantë janë rritur, si rregull, në getot e periferive të qyteteve dhe sot vuajnë nga patologji që kanë të bëjnë pikërisht me segregimin dhe varfërinë urbane. Shumica e emigrantëve nga vendet myslimane në Europë, përgjithësisht nuk identifikohen me vendin ku emigrojnë. Pjesa më e madhe e algjerianëve në Francë, e marokenëve në Spanjë, e turqve në Gjermani apo e pakistanezëve në Angli dhe në Norvegji jetojnë thuajse krejtësisht të veçuar nga shoqëria në të cilën ata janë vendosur. Ata preferojnë të mos marrin pjesë aktivisht në jetën e vendit që kanë adoptuar si atdheun e tyre të ri, përtej marrjes së pasaportës të atij vendi dhe, nëse pyeten, shumë prej tyre thonë se ata nuk dëshirojnë të bëhen anglezë ose francezë, gjermanë apo holandezë, spanjollë apo norvegjezë. Ata identifikohen me kulturën e tyre nacionale dhe dëshirojnë të mbeten myslimanë (ose turq, marokenë, nigerianë, somalezë, pakistanezë etj.) që jetojnë në Angli ose në Francë, në Gjermani ose në Holandë, në Spanjë ose në Norvegji. Shumica e tyre nuk adoptojnë dhe as bëjnë përpjekje të adoptojnë atë sistem vlerash që karakterizon shoqërinë, e cila i ka pritur dhe i ka pranuar ata si qytetarë të saj. Ata nuk kanë shokë francezë, spanjollë, gjermanë ose holandezë; shpeshherë, madje, as nuk mësojnë të flasin dhe të shkruajnë gjuhën e vendit ku emigrojnë.
Emigrantët myslimanë në Europë ruajnë lidhje të forta me vendet nga vijnë, me mendësitë dhe kulturat e tyre. Ata informohen mbi politikën, fenë dhe kulturën nga kanalet televizive arabe dhe turke. Martesat e përziera me europianë janë shumë të rralla; vajzat hiqen nga shkolla kur bëhen 14 vjeç dhe martohen, ndërsa djemtë dërgohen në fshatrat e Anadollit, në Marrakesh apo në Pakistan, nga kanë ardhur, për të gjetur vajzat me të cilat martohen. Pasi vijnë në Europë nga këto vende, gratë myslimane shpesh mbahen në shtëpi; atyre nuk u lejohet të takojnë “të huaj” (që për to do të thotë europianë) përveç, ndoshta, kur bëjnë pazar, edhe pse pjesa më e madhe e tyre bëjnë pazar në dyqane etnike. Ky izolim është më i dukshëm në Gjermani, sesa në Angli ose në Francë. Këtu, turqit, prej kohësh kanë jetuar dhe vazhdojnë të jetojnë në zona të izoluara, kryesisht në qytete të mëdha, duke krijuar komunitete me të ardhura të ulëta, të cilat shpesh konsiderohen prej vendasve si zona krimi.
Gjurmët dhe pasojat e veprimeve të emigrantëve myslimanë në Europë janë më të dukshme sesa ato të popullsisë hispanike në Shtetet e Bashkuara. Kushdo që viziton zona të caktuara në disa prej qyteteve më të mëdha europiane, nuk e ka të vështirë të vërejë simptomat e zhvillimeve të ardhshme. Merrni për shembull, zona të tilla, si Prenzlaurer Berg në qendër të Berlinit, St. Denis në Paris, Vaulz en Velin në Lion, ose Kolenkit në Amsterdam. Në pjesën lindore të Londrës (të cilën, për shkak të numrit të madh të emigrantëve pakistanezë që jetojnë në të e quajnë shpesh “Londonistan”), në disa zona të Birmingamit, të Roterdamit, të Berlinit apo të Marsejës, qytetarët e lindur jashtë Europës përbëjnë qysh sot shumicën e popullsisë së tyre. Ja si e përshkruan historiani i njohur amerikan, Walter Laqueur, këtë transformim të madh demografik e kulturor që po ndodh në Europë: “Në këto qytete mund të gjesh tingujt e Kajros (pa arkitekturën e saj), si edhe pamjet dhe aromat e Karaçit dhe të Dakës… Shumë nga pllakatet dhe shenjat që sheh nëpër rrugë janë në gjuhë dhe alfabete, të cilat një vizitor nuk mund t’i lexojë, ndërsa kioskat shesin kryesisht gazeta në gjuhët arabe, turke, bengali dhe urdu. Një vizitor i huaj do të kalojë pranë shumë xhamive (Birmingami ka më shumë xhami sesa kisha dhe ndonëse kishat janë më të mëdha, ato janë më pak të frekuentuara sesa xhamitë), dhe do të shohë shumë qendra kulturore e sociale prej Lindjes së Mesme ose prej vendeve aziatike… Pamje të tilla ndryshojnë kaq shumë nga ç’kanë qenë këto qytete në vitet 1950 dhe 1960″.
Distrikte dhe komunitete të tilla në Europë po përhapen gjerësisht dhe brenda një gjenerate ato mund të përfshijnë pjesën më të madhe të qyteteve të tilla, të cilat sot janë ende Berlin, Londër, Paris ose Amsterdam. Në Londër, numri i qytetarëve të krishterë është shtatë herë më i madh se ai myslimanëve, por njerëzit që shkojnë në xhami të premteve janë më të shumtë sesa ata që shkojnë në kishë të shtunave. Nuk ka dyshim se një gjeneratë më vonë, Europa do jetë një kontinent që do të ketë pak ngjashmëri me Europën që njohim ne sot. Kjo ndoshta është arsyeja që edhe presidenti i Këshillit Europian, në gjysmën e parë të vitit 2005, kryeministri i Luksemburgut, Jean-Claude Juncker, u detyrua të pranonte se “Europa nuk i bën më njerëzit të ëndërrojnë”. Duke folur me autoritetin e presidentit të Këshillit Europian, Juncker vinte në dukje se “Europa nuk është në krizë, ajo është në një krizë të thellë”.
* * *
Shumë prej emigrantëve myslimanë që jetojnë sot në Europë, veçanërisht të rinjtë, ankohen se janë viktima të sistemit dhe të përjashtuar nga shoqëria. Me këtë pikëpamje duket se pajtohen shumë autorë, të cilët fajësojnë qeveritë europiano-perëndimore për nënvleftësimin që u kanë bërë për dekada me radhë problemeve të emigrantëve, si edhe për dështimin e përpjekjeve për integrimin e tyre në shoqëri. Heather Horn, për shembull, shkruan se konflikti mes turqve dhe qytetarëve gjermanë vendas është “pasojë brutale” e “dekadave të neglizhimit” nga ana e qeverisë gjermane të problemeve të integrimit të emigrantëve në shoqërinë e këtij vendi”. Sipas saj: “Të privuar nga mundësia për t’u pranuar si qytetarë me të drejta të plota për shkak të racizmit, të vështirësive ekonomike dhe deri vonë, për shkak të ligjeve për emigracionin e të barrierave gjuhësore, adoleshentët turq enden rrugëve në grupe, të cilat shihen gjithnjë e më me frikë dhe me dyshim nga qytetarët gjermanë”.
Jo të gjithë pajtohen me këtë arsyetim. Walter Laqueur mendon se getoizimi i një mase të madhe emigrantësh në disa prej qyteteve të Europës Perëndimore është kryesisht një dukuri e parapëlqyer nga ata vetë. Sipas tij, “edhe sikur qeveria gjermane ose qeveritë e vendeve të tjera europiano-perëndimore të kishin bërë më shumë, integrimi i emigrantëve myslimanë në Europë përsëri do të kishte dështuar, pasi integrimi është një proces i dyanshëm: përveç politikave shtetërore, ai kërkon edhe përpjekjet e vetë emigrantëve për t’u integruar në jetën e shoqërisë”.
Një tjetër autor, William McNeill, argumenton se “pakënaqësia dhe zemërimi i të rinjve myslimanë, të marxhinalizuar në shoqëritë europiane, i ngjan kulturës sfiduese të bandave të të rinjve në disa prej komuniteteve afro-amerikane në qytetet e Shteteve të Bashkuara”. Unë mendoj se një pikëpamje e tillë është e pabazuar. Edhe pse ngjyra e lëkurës vazhdon t’i mbajë amerikanët të ndarë në shumë pikëpamje dhe trashëgimia morale e periudhës së skllavërisë vazhdon të jetë e pranishme, gjatë këtyre katër-pesë dekadave të fundit shoqëria amerikane është përpjekur (relativisht me sukses) që t’i ngushtojë pabarazitë racore. Afro-amerikanët nuk ushqejnë ndjenja armiqësore ndaj vendit të tyre (Shteteve të Bashkuara) apo ndaj qytetarëve të bardhë amerikanë, siç ndodh në të kundërt, me shumë emigrantë myslimanë në Europën Perëndimore. Ata, përkundrazi, ushqejnë dhe manifestojnë të njëjtin patriotizëm dhe të njëjtën dashuri për Amerikën, si edhe amerikanët e bardhë. Për më tepër, segregimi dhe diskriminimi racial në Shtetet e Bashkuara nuk kanë qenë kurrë dhe as nuk janë kushte socio-ekonomike dhe politike të preferuara nga vetë popullsia afro-amerikane; ato kanë qenë dhe mbeten rezultat i rrethanave të imponuara historikisht mbi ta.
Në Europën Perëndimore, nga ana tjetër, një pjesë e madhe e emigrantëve myslimanë zgjedhin me dashje vetizolimin dhe vetëpërjashtimin e tyre nga shoqëria në shtetin që ata kanë adoptuar si vendbanim të tyre. Pak prej këtyre emigrantëve krijojnë lidhje shpirtërore me këtë vend dhe akoma më të paktë janë ata që përjetojnë emocionet e patriotizmit holandez, francez, gjerman, anglez etj., ose që identifikohen me bashkëqytetarët europianë në këto vende. Në dallim nga Europa, Amerika është formuar nga emigrantë të ardhur këtu nga e gjithë bota, gjatë dyqind ose treqind viteve të fundit. Ky vend ka qenë dhe mbetet një magnet shumë i fuqishëm për emigrantët e huaj, ndaj edhe emigracioni vazhdon të jetë një tipar esencial i shoqërisë amerikane. Sipas statistikave zyrtare, gjatë dhjetëvjeçarit 1996-2005, në Europë kanë hyrë mesatarisht çdo vit rreth 740 000 emigrantë të huaj, që do të thotë rreth 1.9 emigrantë për çdo 1000 banorë. Shifrat korresponduese për Shtetet e Bashkuara, për të njëjtën periudhë, janë rreth 980 000 emigrantë të huaj në vit, që do të thotë 3.5 emigrantë për çdo 1000 banorë.
Shifrat e larta të emigracionit në Shtetet e Bashkuara janë një faktor shumë i rëndësishëm, që shpjegon shtimin konstant të popullsisë në këtë vend. Një studim i kohëve të fundit vlerëson se 53 për qind e shtimit të popullsisë në SHBA, qysh nga viti 1965, shpjegohet me fluksin e emigrantëve të huaj. Aktualisht 13 për qind e popullsisë së Shteteve të Bashkuara (më shumë se 40 milionë njerëz) janë të lindur në një shtet tjetër dhe të ardhur këtu si emigrantë. Në disa prej qyteteve më të mëdha të Amerikës, përqindja e popullsisë së lindur jashtë është shumë më e lartë se mesatarja e vendit. Në Boston, kjo kategori njerëzish përbën më shumë se 30 për qind të popullsisë së atij qyteti; në Nju Jork mbi 35 për qind, në San Francisko po kaq, ndërsa në Los Anxhelos mbi 40 për qind. Një raport zyrtar i publikuar në vitin 2007 bën të ditur se gati 20 për qind e njerëzve që jetojnë në Shtetet e Bashkuara flasin në shtëpitë e tyre një gjuhë të ndryshme nga anglishtja.
Emigrantët e ardhur në SHBA nga Europa, Kanadaja ose Australia përbëjnë më pak se 20 për qind të numrit të përgjithshëm të emigrantëve në këtë vend, çka do të thotë se shumica dërrmuese e tyre janë nga vendet në zhvillim. Më shumë se një e katërta e emigrantëve të huaj në Shtetet e Bashkuara janë nga vendet e Azisë, ndërsa rreth 52 për qind e tyre janë nga Amerika Latine, kryesisht nga Meksika. Ndryshe nga Europa, Amerika u ofron emigrantëve të huaj atë çka Michael Burleigh e quan “avantazh i largësisë”. Për shkak të këtij avantazhi, emigrantët që vendosen në Shtetet e Bashkuara, si rregull, “divorcohen” mendërisht nga “e kaluara e tyre e padëshiruar” në një masë dhe në një mënyrë të tillë që nuk ndodh me një algjerian, me një maroken apo me një turk në Madrid, në Roterdam, në Berlin, në Oslo apo në Mançester. Në këtë pikëpamje, Amerika, me hapësirën e saj gjeografike të pamatë dhe me dinamizmin karakteristik të jetës së saj, u krijon emigrantëve të huaj mundësinë që të “rikrijojnë vetveten”, ose të bëhen zotër të fateve të tyre. Ndryshe nga emigrantët që vendosen në Shtetet e Bashkuara, të cilët e zgjedhin dhe e shohin atë si vendin e tyre të ri të përhershëm, në Europë, as vendasit dhe as emigrantët nga vendet myslimane nuk e kanë parë dhe nuk e shohin emigrimin e tyre si një integrim në fabrikën sociale të vendit ku ata pranohen; deri më sot të dyja palët kanë ushqyer iluzionin e një qëndrimi tranzit, ose atë që Robert Leiken e quan “mit i kthimit”.
Përveç kësaj, mungesa e shtetit të mirëqenies në Shtetet e Bashkuara bën që amerikanët, në përgjithësi të mos ushqejnë ndaj emigrantëve të huaj atë ksenofobi që gjejmë në Europë, ngaqë jetesa e emigrantëve në SHBA ndihmohet kryesisht nga puna e tyre dhe jo nga kontributet e taksapaguesve amerikanë, siç ndodh pothuajse në të gjitha vendet e Europës Perëndimore. Po kështu, Amerika ka një “aftësi të admirueshme për t’i shndërruar masa të mëdha emigrantësh në patriotë amerikanë”, ndërkohë që në Europë, shumica e emigrantëve mbeten të huaj dhe të marxhinalizuar në shoqëritë ku ata vendosen. Nëse multikulturalizmi në Europën Perëndimore vërtet ka dështuar, siç janë shprehur Merkel, Cameron, Sarkozy, Aznar etj., Europa do të duhej, ndoshta, t’i kthente sytë nga Amerika dhe të mësonte prej saj edhe në këtë drejtim.

(d.d/GSH/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: