Ambasada e Holandës në Shqipëri ka zbardhur sot përgjigjen zyrtare që Komisioni Europian i ka dërguar Holandës në lidhje me kërkesën e tyre për të kthyer regjimin e vizave me Shqipërinë. Sipas njoftimit, KE i ka dërguar përgjigje, Ministrit të Punëve të Jashtme të Hollandës në datën 1 korrik, ku pasi refuzohet kërkesa, theksohet se “Shqipëria duhet të vazhdojë dhe të intensifikojë përpjekjet e saj për të adresuar çështjen e aplikimeve të pabazuara për azil dhe për të parandaluar dhe luftuar krimin e organizuar”.

REAGIMI I AMBASADES
Në datën 1 korrik, Ministri i Punëve të Jashtme të Hollandës ka marrë një përgjigje nga Komisioni Europian në lidhje me letër-kërkesën e dërguar në datën 31 Maj 2019. Në këtë letër, Komisioni ka dalë në përfundimin se kushtet teknike për të aktivizuar mekanizmin e pezullimit të vizave nuk plotësohen. Por gjithsesi, në letër theksohet se Komisioni beson se Shqipëria duhet të vazhdojë dhe të intensifikojë përpjekjet e saj për të adresuar çështjen e aplikimeve të pabazuara për azil dhe për të parandaluar dhe luftuar krimin e organizuar.

Sinjali që vjen nga letër-kërkesa vijon të jetë i rëndësishëm. Hollanda do të punojë me Shqiperinë për të parë se si shqetësimet tona në lidhje me krimin e organizuar, aplikimet e pabazuara për azil dhe klandestinët që përpiqen të kalojnë në Mbretërinë e Bashkuar nëpërmjet porteve të Hollandës mund të adresohen në mënyrë më efikase.

Ne e vlerësojmë bashkëpunimin tonë të mirë me palën Shqiptare dhe e shohim si thelbësore adresimin e këtyre çështjeve.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb